Futboll

Reagimet pas derbit/ Daja bën batuta. Dede: E falëm ndeshjen!

Sigurisht, derbi ishte edhe një sfidë e trajnerëve, ku ka fituar profesori Ilir Daja ndaj ish-lojtarit të tij tek Elbasani, Nevil Dede. Trajneri i të kuqve është shprehur i lumtur për fitoren, ka bërë edhe një batutë në lidhje me manovrën që përdori në këtë ndeshje.

“Na kënaqin 3 pikët, por derbi ka edhe një bonus psikologjik të madh. Është një ndeshje që duhet fituar. Ishim superior dhe ky derbi është i fituar me lojë dhe rezultat. Çinari? Është shumë i rëndësishëm për ne, por nuk kishte luajtur në ndeshje zyrtare, ndaj vendosëm të fusnim Carën në fillim. E dinim se do ishte një forcë e madhe dhe do e hidhnin në fushë. Është një lojtar me vlera për kampionatin.

Ilir Daja, trajneri i Partizanit. Gazeta Si, 21 janar 2021

Kartoni i kuq i Bardhit? Portieri ka dalë para Bardhit, ka pasur kontakt, por nuk e ka penguar lojtari ynë, por nuk dua të merrem me arbitrin, nuk jam marrë as kur kam humbur. Nuk e kishim përgatitur manovrën vetëm me Brojën dhe Muratajn, por nuk mund ta them pas ndeshjes, pasi do na duhet ta përdorim në ndeshjet e tjera, ndoshta edhe në derbin tjetër. Tirana jashtë loje? Kampionati ka edhe shumë ndeshje. Kemi bërë një hap para, i jemi rikthyer fitores në derbi. Sot do të festojmë dhe nesër të fillojmë të punojmë për ndeshjen e radhës”, – tha Daja mës të tjerash.

Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes, edhe pse theksoi se kjo ishte ndeshja më e mirë që ka bërë Tirana nën drejtimin e tij: “E falëm ndeshjen për shumë arsye. Gabuam në disa momente. Në pjesën më të madhe të lojës kontrolluam ndeshjen, skuadra funksionoi në ekuilibër, por humbja në derbi djeg shumë, lë një shije jo të mirë. Mund ta administronim më mirë. Gabimet na ndëshkuan.

Zhgënjimi i Dedes pas golit të Partizanit. Gazet Si, 21 janar 2021

Seferi bëri mirë, jam i kënaqur me të. Muçi mund të bënte shumë më mire, ndoshta ngarkesa e derbit ka bërë punë e vet. Janë një dyshe interesante me Seferin. Kjo ka qenë ndeshja më e mirë që kemi zhvilluar nën drejtimin tim, por në fund fare është rezultati ai që mbahet mend. Dalja e Bathës me të kuq na prishi ekuilibrat. Tirana u penalizua më shumë, e kishim ndërtuar manovrën tonë nëpërmjet Bathës, Muçit dhe Seferit. Po të ishim më altruistë, mund ta kishim zgjidhur ndeshjen”, – theksoi Dede.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë