Futboll

Video/ Derbi i kuq, Çinari kthehet dhe i jep fitoren Partizanit

Sapo mori dritën jeshile nga UEFA për heqjen e dënimit, Erald Çinari është aktivizuar si zëvendësues në derbi, por ato pak minuta mjaftuan që ai t’i jepte fitoren Partizanit. Shkodrani shënoi 7 minuta para fundit një gol me shumë peshë për ekipin e trajnerit Ilir Daja, që tashmë mban vendin e dytë me 26 pikë, me golaverazh më të mirë se Teuta.

Ishte një derbi që i pati të gjitha brenda, tension mes tifozëve, raste shënimi, dy kartonë të kuq dhe një gol për të kuqtë. Tirana, pas kësaj humbjeje, duhet thjesht të mendojë për zonën europiane, sepse titullin kampion duket se e ka dorëzuar. Mban vendin e 5-të me 20 pikë, plot 15 pikë larg Vllaznisë kryesuese.

Trajneri Nevil Dede e nisi ndeshjen me Taulant Seferin titullar, blerjen e bujshme të merkatos së dimrit. Dhe ishte pikërisht Seferi që iu afrua golit dy herë në pjesën e parë. Në rastin e parë u ndal nga Hoxha, në të dytin e dribloi atë, por gjuajti jashtë. Në krahun tjetër, Daja ia besoi treshes Bardhi-Solomon-Asani sulmin, ndërsa Mala luajti mbrojtës i djathtë. Melo dhe Asani patën raste, por pjesa e parë, që ishte shumë e luftuar, çka e vërtetojnë edhe 5 kartonët e verdhë, u mbyll pa gola.

Partizani mbeti me 10 vetë pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë, pasi Bardhi u ndëskua me kartonin e dytë të verdhë. Megjithatë, shpejt është kthyer barazia numerike në fushë, sepse edhe Batha ka marrë të verdhin e dytë nga kryesori Enea Jorgji. Futja e Çinarit rezultoi vendimtare për Partizanin, pasi ai gjeti rrugën e rrjetës.


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura


Më Shumë