Sport

Një rikthim për shtangën shqiptare, Elez Gjoza zgjidhet në krye të Federatës së Peshëngritjes

Pas një periudhe disamujore të shoqëruar me akuza, polemika dhe dhune në një asamble zgjedhore të dështuar, Federata Shqiptare e ka zhvilluar në sallën “Feti Borova” në kryeqytet Asamblenë Zgjedhore, në të cilën përfaqësuesit e klubeve votuan për presidencën dhe Këshillin e Drejtues. Ndryshe nga asambleja e 14 nëntorit, ku në garën për president ishte vetëm Eglantina Çuni, tashmë kandidatët ishin katër.

Komisioni i etikës mori vendimin për ta pranuar në garë kandidatin për president, Elez Gjozën, pas përjashtimit të mëparshëm si një figurë me moral jo të pastër për shkak të skandaleve të dopingut. Gjithashtu, garës iu bashkuan edhe dy emra të tjerë si Everest Troka dhe Flamur Isufi.  Ne fund të votimeve, fitues u shpall Elez Gjoza, i cili mori 10 vota, kundrejt 6 votave të Eglantina Çunit. Gjoza rikthehet në krye të shtangës shqiptare, pas dorëheqjes së dhënë në vitin 2018, për shkak të skandaleve të dopingut që pushtuan peshëngritjen tonë.

Gjoza ishte plotësisht i bindur në fitoren e tij. Madje ai nuk ka ngurruar të thumbojë edhe kundërshtaren Eglantina Çuni. “Shtanga do investime dhe nuk mund të drejtohet nga një person që ka vetëm 2 rroga mesatare të ardhura në muaj”, është shprehur Gjoza, duke iu referuar Çunit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë