Sport

Ish-futbollistët kërkesë qeverisë britanike: Hetoni lidhjen mes sportit dhe sëmundjeve mendore

Një grup ish-futbollistësh dhe politikanësh kanë bërë thirrje që të shqyrtohet lidhja e mundshme mes sëmundjeve të shëndetit mendor me sporte të ndryshme. Letra drejtuar Sekretarit Oliver Dowden është nënshkruar nga nëntë ish-futbollistë si Mickey Ambrose, Peter Reid, Phil Brown, Viv Anderson, Darren Moore, Clive Wilson, Dean Wilkins, Vinny Samways dhe Mark McCammon.

Ish-futbollistët kanë tre herë e gjysmë më shumë gjasa të vdesin nga sëmundjet mendore sesa pjesa tjetër e popullatës. Të paktën shtatë ish-futbollistë të përfaqësueses angleze të futbollit, që në vitin 1966 u shpallën kampionë bote, janë diagnostikuar me demencë, përfshirë këtu edeh Nobby Stiles, i cili u nda nga jeta në muajin tetor – Bobby Moore, Alan Ball, Rayan Wilson, Gordon Banks, Martin Peters, Jack Charlton. Ish-sportistët kërkojnë që të ngrihet një komunitet shkencor dhe ta hulumtojë me rëndësi të shtuar lidhjen e pretenduar të goditjeve në kokë me sëmundje si demenca.

Në muajin nëntor edhe Bobby Chalrton, ish-kapiteni i përfaqësueses angleze dhe Manchester United-it, u diagnostikua me sëmundje të shëndetit mendor. Vitin e shkuar një studim jo i thelluar rreth lidhjes së demencës me goditjet e topit me kokë nga futbollistët, nxiti reagime të forta nga ish-futbollistë.

Pas publikimit të studimit dhe opinionit të shprehur nga disa ekspertë të mjekësisë, Federata Angleze e Futbollit vendosi në shkurt që të ndalojë goditjet me kokë të topit për grup-moshat nën 11 vjeç. Federata la të hapur mundësinë e rishikimit të rregullave edhe për grup moshat e tjera nëse në të ardhmen do të zbuloheshin të dhëna të tjera domethënëse.

Demenca është një grup simptomash degjenrative që vijnë si pasojë e ndryshimeve jo-të zakonshme të trurit. Ato mund të shkaktojnë sëmundje si Azheimeri, Parkinsoni etj. Këto ndryshime jo-të zakonshme reduktojnë aftësitë mendore dhe komunikatave duke degraduar ndjeshëm socializimin apo dhe cilësinë e jetesës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë