Shqipëria ka marrë një titull shumë të rëndësishëm, medalje të artë në Kampionatin Evropian të Gjimnastikës Artistike për meshkuj që zhvillohet në Mersin Turqi, falë atletit me origjinë Ruse, Matvei Petrov. Matvei Petrov me trajner Alon Hasa, është rus por i natyralizuar shqiptar, me pasaportë shqiptare, i cili përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin Europian të Gjimnastikës Artistike për meshkuj.

Në garën e fundit, Petrov fitoi më shumë pikë se të gjithë në kategorinë “kalë me doreza”, duke i dhuruar Shqipërisë kështu për herë të parë rezultat historik. Në total Petrov grumbulloi 14.566 pikë në këtë kategori. Pasi ka përfunduar gara në një deklaratë që ka dhënë për mediat, Petrov ka shpjeguar edhe lidhjen që ka me Shqipërinë.

‘Kur nuk u kualifikova për në Lojërat Olimpike të 2016, e mbylla karrierën si gjimnast dhe u transferova në Pragë për të punuar si trajner, nuk e mendoja vijimin e karrierës si gjimnast. Por teksa punoja si trajner, gjeja kohë të lirë kështu që fillova të stërvitem përsëri dhe kuptova se nuk isha në formë të dobët. Dhe pata fat sepse Drejtori i palestrës ku unë punoja ishte shqiptar. Kështu nisi historia ime me Shqipërinë. Federata shqiptare e Gjimnastikës mori miratimin e Federatës Ruse që të garoja për Shqipërinë, askush nuk ishte kundër kësaj”.- ka thënë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




