Para

Çelet gara ndërkombëtare për tunelin e Llogorasë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka çelur garën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

 Projekti parashikohet të përfundojë brenda 37 muajve nga dita që do të nisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka prezantuar projektin në një event të transmetuar në Facebook ditën e sotme (të shtunën).

Tuneli do të shkurtojë distancën drejt bregdetit të jugut për të gjithë vizitorët vendas e të huaj.

Projekti i ndërtimit të Tunelit të Llogarasë do të financohet nga qeveria. Tuneli 6 kilometra i gjatë pritet që të shkurtojë aksin Orikum – Palasë në vetëm 10 minuta rrugë.

Qytetarët do të paguajnë një tarifë fikse për të kaluar në tunel. Ndërtimi i tunelit, sipas qeverisë parashikohet të kushtojë 155 milionë euro.

Projekti i ideuar nga ekspertë austriakë.

“Një tunel operacional dhe një tunel emergjence. Do të ketë një qendër. Do të ketë depozita të tëra të vendosura brenda tunelit që do të jenë gati për çdo emergjencë. Ky projekt ka patur fokus të veçantë nga arkitektët dhe inxhinierët. Bëhet fjalë për portën hyrëse të rivierës së jugut. Është menduar edhe si lidhje estetike për turizmin. Paketë e tërë infrastrukturore sëbashku me aeroportin dhe By pasin e Vlorës. Realizon atë që kemi premtuar dhe do të dorëzojmë shumë shpejtë. 60 ditë nga përfundimi. Mbyllet në muajin shkurt. Në fillim të muajit mars firmosim kontratën dhe menjëherë nisim nga  puna përpara verës së 2021”- tha ministrja Balluku.

Referuar studimit të fizibilitetit, projekti që kërkohet – pjesë e Rrugës Shtetërore SH8 – përmban terrenin më të ndërlikuar dhe kushtet më të këqija në rrugë, me një kapacitet trafiku shumë të ulët dhe një shërbim të dobët, duke shkaktuar rreziqe të mëdha të drejtimit të automjeteve, veçanërisht gjatë motit me shi ose me dëborë gjatë dimrit.

Tuneli i Llogarasë ndodhet në Shqipërinë jugore pjesë e segmentit rrugor SH-8, i cili eshte kategoria C2 sipas Rregullit Teknik 2015, si dhe rrugë kalimi nga Vlora në Sarandë në pjesën e turistike të bregdetit Jon.

Tuneli ndodhet rreth 20 km në jug të qytetit të Vlorës dhe fillon rreth 500 m në veri perëndim të urës së Shën Eliza që lidhet në fundin e lotit 1 dhe përfundon rreth 1.4 km në perëndim të urës së Palasës. Gjatësia e rrugës arrin në 7.4 km, duke përfshirë tunelin rreth 5,9 km i gjatë dhe dy urat. Përkatësisht ura e parë fillon rreth 500-700m pas daljes se tunelit me gjatësi totale rreth 60 metra dhe ura e dytë fillon rreth 1 km nga ura e parë me gjatësi rreth 120 m. Seksioni i urave eshte 11.2m.

Tuneli është parashikuar me shpejtësi 50-80 km/orë me një karixhatë me dy sens lëvizje. Gjatësia e parashikuar e tunelit është rreth 5.7-6 km.

Tuneli është i gjerë 12.8 m që përbëhet nga dy korsi 2×3.5m, dy kuneta 2×0.25m dhe dy trotuar 2×0.85m, si dhe tunel emergjence.

Kjo kategori rrugore ka 2 x 3.5 korsi levizje + 2 x 1.25 bankina te asfaltuara dhe 2x 0.75 bankina te paasfaltuara

Ky tunel parashikohet, që në përfundim të tij, të kalohet me pagesë.

“Projekti do të fillojë në fund të Lotit koncesionar i cili në përmirëson dhe rehabiliton duke e vendosur në standart SH-8 . Për sa i përket kërkesave tjera të standartit për ndërtimin e stacioneve të pagesës, qëndrave të monitorimit apo veprave të veçanta të artit, pikënisja mund të merret paraprakisht në seksionin e drejtë të rrugës ekzistuese afër pikës përfundimtare të Lotit koncensionar, rreth 500 m nga Ura e Shën Elizës.

 Pika përfundimtare parashikohet të vendoset në kthesën fundit të fortë të seksionit zbritës në rrugën ekzistuese, që lidhet me rrugën ekzistuese, rreth 1.4 km larg nga Ura e Palasës.Gjithsesi kjo do të mbetet në dorën e projektuesit që do shikojnë variantin më të arrirë teknik”  shkruhet në studimin e fizibilitetit.

Projekti i kërkuar i Tunelit të Llogarasë ndodhet në jug të Shqipërisë. Projekti nuk ka të bëjë vetëm me rrugën Orikum-Himarë dhe pjesën përbërëse të autostradës SH8, por është edhe rrugëkalimi kryesor nga Vlora në Sarandë.

Projekti i kërkuar është përbërësi kryesor i autostradës SH8 që lidh Fierin, Vlorën dhe Sarandën nga veriu në jug, duke u konsideruar kështu si autostrada më e rëndësishme kombëtare në bregdetin jugor shqiptar.

Pas përfundimit të tij, distanca hapësinore midis qyteteve bregdetare shqiptare, veçanërisht midis atyre në bregdetin jugor si Vlora dhe Saranda do të shkurtohet, në mënyrë që të mundësohet një ndërlidhje më e mirë mes tyre, të ndërtohet një rrip ekonomik bregdetar dhe të promovohet zhvillimi i përgjithshëm dhe i shpejtë i ekonomisë dhe shoqërisë së vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë