Para

Qeveria do të rishohë buxhetin për të katërtën herë, po mendon edhe për bonus për pensionistët

Ministrja e Financave Anila Denaj ka deklaruar se qeveria do të rishikojë për herë të katërt me akt normativ buxhetin e këtij viti.

Në këtë rishikim tha ajo do të mendohet edhe për bonusin e pensionistëve si pjesë e kategorive në nevojë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, është shprehur se rënia e të ardhurave në buxhet si pasojë e pandemisë është më e lartë se parashikimi fillestar duke kapur në total vlerën e gjysmë miliardi Euro, ndërsa një pjesë e fondeve që nuk janë përdorur nga institucionet do të shkojnë për të ulur nivelin e defiçitit në 6.9% të prodhimit kombëtar nga 8.4 që parashikohej.

“Rënia e të ardhurave është më e madhe se parashikimi, shkon në 60 miliard lekë, por fondet që nuk janë përdorur dhe që ne kemi qenë më të kujdesshëm do të shkojnë për uljen e defiçitit.”- tha ministrja Denaj.

Sipas saj, fondet e rindërtimit edhe pse janë disbursuar më pak se parashikimi nuk do të digjen por do të transferohen vitin e ardhshëm, pra janë të trashëgueshme.

Brenda rishpërndarjes së parave në buxhet qeveria po llogarit edhe shumën që do të japë si bonus në fundvit për pensionistët, por këtë vit të jashtëzakonshëm nuk do të shpërblime me bazë performance për administratën publike.

Ministrja Denaj u shpreh se vitin e ardhshëm qeveria do të ridizenjojë skemat e garancisë sovrane të cilat nuk janë përthithur totalisht për t’u ofruar sërish ndihmë bizneseve derisa ata të kenë nevojë.

“Skema e parë do të ridizenjohet dhe ajo për kapital qarkullues do të shtyhet, po mendojmë edhe për paketa për eksportuesit.”- tha ajo.

Deri tani pandemia ka krijuar 24 mijë të papunë të regjistruar, thotë ministrja e Financave, ndërsa shprehet se viti i ardhshëm do të ketë një tremujor të parë të vështirë, por në çdo skenar qeveria do të përshtasë buxhetin me nevojat që do të nxjerrë pandemia.

Ministrja u shpreh se ; “Viti i ardhshëm nuk do të jetë normal, por më i mirë se ky vit.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë