Të gjithë sportistët që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të verës së ardhshme duhet të kenë përgjigjen negative të tamponit në 72 orët e fundit, para se të futen në Japoni.
Ata do i nënshtrohen gjithashtu testeve çdo 96 deri në 120 orë. Këto janë rregullat e reja që u vendosën pas takimit mes komitetit organizues Tokyo 2020, qeverisë japoneze dhe qeverisë metropolitane të Tokios.
Aktualisht vizitorët që kanë menduar të udhëtojnë drejt Tokios duhet të marrin parasysh se duhet t’i nënshtrohen një karantine 14 ditore, por një rregull i tillë mund të ndryshojë në varësi të situatës së pandemisë në muajt e ardhshëm. Organizatorët po ashtu do të kërkojnë nga sportistët që të evitojnë daljet e panevojshme në Tokio.
“Ne duam të jemi të vëmendshëm ndaj atletëve, kështu që zona ku ata do qëndrojnë nuk duhet të ketë shumë njerëz. Pasi të mbarojnë garat, ne duam që atletët të kthehen në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur,” – u shpreh Toshiro Muto, CEO i Tokyo 2020.
Shtyrja e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” për verën e vitit 2021, si pasojë e pandemisë Covid-19, i ka kushtuar organizatorëve 1.6 miliardë euro. Kjo shifër u konfirmua nga komiteti organizator i Olimpiadës.
Një shumë marramendëse, që ka vënë në jo pak në krizë Japoninë, që shpresonte të dilte me fitimin nga ky event sportiv. Për këtë arsye, komiteti organizator i Olimpiadës shpreson që brenda dhjetorit të gjejë një marrëveshje në lidhje me atë se cilat do të jenë kompetencat e trashëgimisë si dhe gjetjen e fondeve shtesë për emergjencën shëndetësore që do të aplikohet verën e ardhshme.
Për të ulur sadopak shpenzimet shtesë, komiteti organizator po mendon të thjeshtësojë ceremoninë e hapjes, që ka një kosto relativisht të lartë. Ulje shpenzimesh do të ketë edhe shërbimi dedikuar stafeve të sportistëve që do të jenë në Olimpiadë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




