Ngjarje

KE “urdhëron”: Rrisni testimet, mjeti themelor për të ngadalësuar pandeminë

Komisioni Europian udhëzoi të gjitha vendet anëtare të BE-së që të përqëndrojnë energjitë drejt testimit me rekomandimin që të shtohet ai që njihet si testimi i shpejtë, apo testimi i antigenit.

“Testimi na tregon përhapjen e sëmundjes, ku është dhe si zhvillohet. Është një mjet themelor për të ngadalësuar përhapjen e Covid-19”, deklaroi Komisionerja e Shëndetit, Stella Kyriakides.

Për këtë qëllim, Komisioni u ka shpërndarë të gjitha vendeve anëtare një udhëzues për të koordinuar punën për testimet e shpejta dhe me specifikimet e nevojshme teknike që kërkohen për këtë formë testuese.

“Që të jemi efikasë në testim kërkon që të kemi burimet e nevojshme, prandaj kemi vendosur që të rrisim mbështetjen për vendet anëtare që të fuqizojnë kapacitetet e tyre testuese”, shtoi Komisionerja.

Komisioni Europian këshillon që veç testimeve tradicionale PCR të përdoren edhe testimet e antigenit sidomos tek kategoritë e riskut, si mjekët, infermierët, mësuesit, policët apo të tjerë persona që për shkak të detyrës kërcënohen më shumë nga infeksioni.

“Vetëm kështu mund të gjurmojmë infeksionin dhe të kufizojmë izolimin dhe karantinën”, deklaroi Kyriakides.

Për këtë qëllim, Komisioni ka vendosur një fond prej 35.5 mln eurosh për vendet anëtare, që do të shërbejnë kryesisht për të përforcuar ekipet lëvizëse të testimit dhe rrisë kapacitetet testuese të vendeve anëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë