Audiolajme

Testet e shpejta vijnë të paktën pas dy muajsh

Testet e shpejta vijnë të paktën pas dy muajsh
Testet e shpejta vijnë të paktën pas dy muajsh

Qeveria shqiptare ka gati financimin për testimet e shpejta anti-Covid, por ardhja e tyre në Shqipëri do të kërkojë më shumë se dy muaj kohë.

Lajmi është konfirmuar nga kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge, që këtë të enjte ishte për një vizitë në Tiranë. Ai u pyet nga gazetarët për kohën se kur do të mbërrijnë këto teste në vendin tonë.

“Pas 8 apo 10 javësh. Shkenca nuk ka lëvizur kurrë kaq shpejt më parë, sa në këtë luftë. Askush nuk po bën ndonjë punë të veçuar mënjanë, që ne nuk e dimë, por që të gjithë po punojmë dhe po përpiqemi ta shkurtojmë kohën”, tha Kluge.

Në prani të Drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu këmbënguli se sistemi shëndetësor shqiptar është në gjendje që të përballojë situatën e shkaktuar nga Covid 19.

“Po vijojmë të rrisim kapacitetet e gjurmimit, hetimit epidemiologjik dhe testimeve dhe do të përfshijmë testin e shpejtë të Antigenit që do ta sigurojmë falas për qytetarët. Po vijojmë të rrisim kapacitetet spitalore dhe përgatitjen e sistemit shëndetësor për të përballuar situatën, duke përfshirë gradualisht spitalet rajonale. 1600 shtretër janë përgatitur sipas skenareve dhe është punuar gjatë gjithë këtyre muajve, jo vetëm për infrastrukturën e përshtatshme dhe aparaturat jetëshpëtuese, por edhe për trajnimin e burimeve njerëzore”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja njoftoi gjithashtu se me zyrën rajonale të OBSH-së për Europën është firmosur një marrëveshje bashkëpunimi.

“Kjo marrëveshje që firmosëm sot për dy vitet në vijim do të sigurojë asistencë teknike për të mbështetur Shqipërinë për përballimin e emergjencave shëndetësore dhe për të rritur kapacitetet e vendit për të parandaluar dhe kontrolluar epidemitë”, sqaroi ministrja e Shëndetësisë.


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura

Më Shumë