Para

Loja me rimbursimin e TVSH, kritikat e ndërkombëtarëve dhe shkeljet e konstatuara nga KLSH

Uran Derri ushtron aktivitetin e tij ekonomik si sipërmarrës në sektorin agroushqimor dhe atë të fasonëve.

Ai tregon për Gazetën “Si” se problemet me rimbursimin e TVSH-së vijojnë për biznesin e tij.

Sipërmarrësi bën me dije se sipas financave, borxhet që u ka qeveria do “të shlyhen me klering, pra do të zbriten nga detyrimet e prapambetura nga ana e biznesit. Por unë nuk kam detyrime ndaj adminsitratës tatimore. Me siguri tani do të kërcasin gjobat që të plotësojnë shumën e rimbursimit që na detyrohen”.

Që nga marsi, thotë ai, ka 15 mijë euro TVSH të parimbursuara dhe akuzon qeverinë se punon me disa standarte.

“Para do muajsh Dhoma Amerikane e Tregtisë e thirri urgjent ministren e financave duke iu ankuar për rimbursimin e TVSH-së. Menjëhreë u lëvrua fondi dhe bizneset e Dhomës Amerikane nuk u ndjenë më”- thotë sipërmarrësi Uran Derri.

Gazeta “Si” iu drejtua Dhomës Amerikane të Tregtisë nëse ka pasur ankesa nga bizneset anëtare në lidhje me rimbursimin e TVSh-së.

Dhoma u përgjigj se nuk ka asnjë ankesë nga bizneset nën ombrellën e saj për këtë çështje.

Kurse Alban Zusi, kreu i Qendrës Shqiptare të Eksporteve tregon për Gazetën “Si” se edhe bizneset e shoqatës kishin 9 muaj pa iu rimbursuar TVSH-ja, por në mënyrë të beftë, pas kërkesës së bërë sipas ligjit dhe kontrollit të ushtruar në biznese, po sipas ligjit, rimbursimet u kryen menjëherë.

“Edhe ne u habitëm me shpejtësinë e administrates”, vëren Zusi.

Të njëjtën gjë pohon edhe Luan Bregasi i Business Albania. “Përpos bizneseve të mëdha që shifra e rimbursimit del jashtë mundësive të buxhetit dhe është rënë dakord të kthehen me këste, bizneset nën Business Albania, nuk kanë probleme”- thotë ai.

Burime nga financat bëjnë me dije për gazetën “Si” se në fakt vijojnë problemet në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.

Kurse të dhënat e tatimeve tregojnë që gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, janë rimbursuar gjithsej 4,63 miliard lekë. Gjatë këtij tremujori, rreth 2,51 miliard lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste. Ndërsa numëri i kërkesave FIFO të miratuara dhe rimbursuara gjatë kësaj periudhe ka qënë në total 268 me vlerë rreth 2,11 miliard lekë.  

Gjatë tremujorit të tretë 2020, pranë Dretorisë së Rimbursimit të TVSH-së janë regjistruar 371 kërkësa për rimbursim me vlerë rreth 5,48 miliard lekë, nga të cilat janë pranuar 280 kërkesa me vlerë rreth 4,30 miliard lekë dhe 91 kërkesa me vlerë rreth 1,18 miliard lekë nuk janë pranuar për mosplotësim të kritereve ligjore.

Në fund të tremujorit të tretë 2020, stoku i rimbursimit të TVSH-së kapi vlerën rreth 11,3 miliard lekë nga 11,8 miliard që ishte në fund të tremujorit të dytë të vitit 2020. Kërkesat e miratuara për dy tatimpaguesit më të mëdhenj të cilat trajtohen me këste përbëjnë 88.7 % të totalit të stokut të rimbursimeve në fund të tremujorit të tretë të 2020. Ndërsa kërkesat FIFO u rimbursuan të gjitha duke mos krijuar stok në fund të këtij tremujori.

Detyrimet e prapambetura të qeverisë një kambanë alarmi

Në fakt ka qenë një refren i përhershëm në raportet e organizmave ndërkombëtarë shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, përfshirë këtu rimbursimin e TVSH-së ndaj bizneseve. Përpos PPP-ve dhe borxhit publik, detyrimet e prapambetura janë cilësuar si thëmbra e akilit për mbarëvajtjen e shëdetit të financave publike.

“Ne e vlerësojmë forcën fiskale të Shqipërisë në “b1”, nën vlerësimin e mëparshëm në “ba2”, duke reflektuar rrezikun që vjen nga detyrimet e prapambetura”- do të thoshte pak ditë më parë agjencia e kreditit Moody’s në analziën më të fundit të vlerësimit të Shqipërisë, e cila do të nënvizonte barrën e lartë të borxhit publik si një faktor të lartë risku.

Në të njëjtën kohë, raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit vëren se drjetoria e rimbursimit të TVSH-së në DPT ka shkelur ligjin për procedurat tatimore në RSH për vitin 2019 duke rimbursuar më shumë se planifikimi, nuk ka raportuar në Ministrinë e Financave sipas tremujorëve dhe gjithashtu afatet e rimbursimit sipas ligjit nuk janë zbatuar dhe nuk dihet me siguri stoku i mbetur për arsye të sistemit.

Sipas raportit të KLSH-së, për vitin 2019, rimbursimi për TVSH-në u programua në shumën 19,000 milion leke dhe u realizua në shumën 23,509 milion lekë duke rezultuar me një tejkalim për 4,509 milion lekë ose 23.7% më shumë se plani vjetor i rimbursimit. Në totalin e TVSH-së së rimbursueshme DRTVSH në DPT ka rimbursuar 23,467 milion lekë dhe Drejtoritë Rajonale Tatimore kanë rimbursuar 42.7 milion lekë. Nga auditimi ka dalë se Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT ka paguar rimbursim më tepër se fondet e planifikuara në shumën 4,509 milion lekë ose ka tejkaluar fondet e parashikuara për rimbursim në masën 23.73 % të parashikimit vjetor të rimbursimit, veprime këto në kundërshtim me ligjin, sipas të cilit DPT është autoriteti i vetëm qendror qe zbaton dhe administron tatimet kombëtare, pagesat publike sipas legjislacionit tatimor.

Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Tatimore gjatë vitit 2019 ka 1 298 raste në shumën 22,728 milionë lekë. Në totalin e kërkesave të paraqitura janë pranuar 983 kërkesa ose 714 tatimpagues me vlerë të kërkuar për rimbursim 22,707 milion lekë. Mbi vonesat në afatet e rimbursimit sipas kategorive të tatimpaguesve, Për eksportuesit me risk zero, me përjashtim të kërkesave te paraqitura në muajin dhjetor, pagesat për rimbursim nuk janë rimbursuar automatikisht brenda 30 ditëve kalendarike ose janë rimbursuar me 36-144 dite-vonesë, në kundërshtim me ligjin.

Referuar audimit të KLSH-së, kërkesat e miratuara për eksportuesit me risk zero është konstatuar se i njëjti tatimpagues herë klasifikohet si eksportues me risk zero dhe herë si eksportues të tjerë. Nga auditimi i procedurave të afateve të kryerjes të rimbursimit doli se për kategoritë rieksportues të mallrave jo shqiptare ose Fason, për periudhën Janar–Qershor 2019, për shumat e miratuara për rimbursim, në pagesën e kërkesave për rimbursim sipas metodës FIFO nuk është zbatuar radha në kryerjen e pagesave, veprime ne kundërshtim me Udhëzimin “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të njësive të qeverisjes së përgjithshme në llogari të thesarit”. Për kategorinë Grumbullues për Eksport, gjatë vitit 2019 është kërkuar për rimbursim shuma 1,672 milion lekë, paguar për 144 raste shumën 1,405 milion për 50-557 ditë vonesë, duke rezultuar në shkelje të afatin ligjor të rimbursimit përcaktuar, duke vënë në vështirësi tatimpaguesit eksportues për likuiditet e nevojshme, për ecurinë normale te veprimtarisë ekonomike.

KLSH thotë në raport se ndryshimi i shpeshtë i drejtimit të kësaj drejtorie gjatë vitit 2019 për tre drejtues, mbajtja e evidencave në mënyrë manuale, mosparaqitja e evidencave për këstet e detyrimeve të prapambetura, mungesa e pagesave historike për kërkesa dhe pagesa para vitit 2019, nuk i jep siguri audituesit të vlerësojë stokun e detyrimeve të papaguara për këtë grup tatimpaguesish.

“Sa më sipër, përveç shkeljes së afatit ligjor për pagesë me këste, rezulton se për kërkesat e miratuara në vlera të larta monetare dhe/ose në pritje për tu rimbursuar /kompensuar detyrime të ardhshme tatimore, mosparaqitja e evidencave lidhur me këstet e planifikuara për pagesë, bën të pamundur gjithashtu dhe verifikimin e respektimit të radhës së pagesave sipas kësteve të paracaktuara për rimbursim. STOKU i rimbursimit të TVSH-së është vlera e TVSH-së e aprovuar për tu rimbursuar nga administrata tatimore, në pritje për tu kaluar në degën e thesarit. Në evidencën e DRTVSH-së për Drejtorinë e Analizës dhe Kontabilitetit, për detyrimet e prapambetura të krijuara rishtazi për rimbursimin e TVSh-së në bazë vjetore, gjendja e stokut të rimbursimit në 31.12.2019 është në shumën 11,251,390 mijë lekë.”- citon raporti i KLSH-së.

Raporti konstaton se regjistri rimbursimit nga DRTVSH nuk ofron të dhëna të mjaftueshme lidhur me vlerësimin e stokut. Evidenca e kërkesave për rimbursim, nuk përmban te dhëna të plota lidhur me datën e miratimit të kërkesës, shumën e miratuar për kompensim, shumën e urdhër pagesës për rimbursim ose komente për rastet e mosplotësimit të tyre. E njëjta situatë paraqitet edhe në evidencën e pagesave për rimbursim, në të cilën në muajin dhjetor mungojnë te dhëna te domosdoshme si data e kërkesës, shuma e kërkuar, data e miratimit, etj. Në stokun e raportuar, mungojnë referencat që lidhin vlerën e stokut me kërkesën përkatëse (si numri i kërkesës për rimbursim, datë miratimi ose e dhënë tjetër identifikuese në procesin e rimbursimit). Kjo mungesë, thekson raporti, vështirëson verifikimin e ecurisë së çdo kërkese dhe aq më shumë ndjekjen e radhës së pagesave sipas parimit FIFO dhe vlerësimin e plotësisë dhe saktësisë së gjendjes së këtij stoku në 31.12.2019.

Po ashtu sistemi nuk siguron të dhëna mbi gjendjen e shumave të miratuara, pasi në momentin e miratimit përfundimtar shumat e miratuara zbriten nga sistemi C@TS dhe kjo shumë del jashtë sistemit C@TS, në pritje të lëshimit të Urdhër Pagesës për Rimbursim. Gjithashtu, sipas raportit, kjo drejtori nuk ka kryer raportime me bazë tremujore në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për detyrimet e prapambetura dhe të krijuara rishtazi sipas bazës ligjore në fuqi.

Në këtë evidence, vijon raporti më tej, janë raportuar rimbursimet e miratuara për katër subjekte të kategorisë tatimpagues të mëdhenj, për të cilët përdoret pagesë me këste. Këto rimbursime të miratuara i përkasin viteve 2018- 2019. Në stokun e raportuar nuk janë evidentuar kërkesat e pranuara por të pa miratuara për rimbursim edhe pse ato janë në tejkalim të afatit ligjor 30/60 ditë të përcaktuar me ligj për rimbursim në shumën 1,653,275 mije lekë. Kjo bie në kundërshtim me kërkesat e Ligjit, që konsideron detyrim të papaguar të gjitha kërkesat që kanë kaluar afatin 30/60 ditë, afat brenda të cilit drejtoria rajonale e tatimeve verifikon situatën tatimore të tatimpaguesit, ushtron kontroll bazuar në analizën e riskut dhe miraton tepricën kreditore si të rimbursueshme.

Mbi bashkëveprimin midis DPT, AKBN, MFE,MIE KLSH , raporti thotë se problematika e evidentuar në mënyrë të përsëritur për subjektet që zhvillojnë veprimtari në fushën hidroenergjetike dhe kanë rezultuar me mungesë ose tejkalim të lejeve për punimet e ndërtimit, me ndikime në kreditimin e TVSH, nuk ka gjetur ende zgjidhje. Mungesa e lejeve apo tejkalimi i tyre është evidentuar nga AKBN për 60 subjekte, për të cilët ky institucion ka dërguar informacion shkresor pranë DPT për verifikime të mëtejshme fiskale. Mungesa e lejes së ndërtimit ose tejkalimi i punimeve jashtë lejes së miratuar, në koncept të kreditimit të TVSH-së, kërkon mos njohjen e kreditimit për këto punime dhe njëkohësisht mos njohjen e rimbursimit të kërkuar. Në pesë raste të kontrolleve të kryera për vitin 2019, janë vërejtur me problematikën e cituar pas verifikimeve të kryera është pezulluar rimbursimi i TVSH-së. Praktika e pezullimit nga administrata tatimore nuk është zgjidhja e duhur në këtë rast, thotë raporti. Organi tatimor ka detyrimin të shprehet mbi ligjshmërinë e kreditimit për këto raste, sipas procedurave të përcaktuara në Ligji. Sipas dispozitave në këtë ligj, nëse administrata tatimore konstaton se detyrimi tatimor i dhënë në deklaratën tatimore, është i pasaktë ose tatimpaguesi nuk ka dorëzuar deklaratë tatimore apo nuk ka paguar detyrimin tatimor, bën vlerësimin tatimor, në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës. Për rastet e tjera, për subjektet e evidentuara nga AKBN me mungesë apo në tejkalim të lejes për kryerjen e punimeve të ndërtimit në veprat hidroenergjetike (HEC), nga organet tatimore nuk janë kryer kontrolle tatimore.

KLSH në raport thekson se rëndësi në kryerjen e verifikimit mbi ligjshmërinë e kreditimit ka edhe faktori kohë, pasi organet tatimore duhet të ndërmarrin veprimet për verifikimin e rasteve dhe vlerësimin e tyre brenda 5 viteve nga data e fundit e dorëzimit të deklaratës tatimore, fillestare ose të ndryshuar, të përcaktuar në legjislacionin tatimor, duke mos i lënë këto detyrime të bëhen objekt i parashkrimeve ligjore për vlerësimin tatimor. Vonesat në kryerjen e këtyre verifikimeve krijojnë risk të lartë, për vlerësimin tatimor, mbledhjen e të ardhurave, si dhe përfitimit të padrejtë të rimbursimit të TVSH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë