Lajme

Gjykata liron kreun e Vetëvendosjes në Tiranë dhe 7 protestuesit e tjerë

Tetë personat e arrestuar pas protestës për shembjen e Teatrit Kombëtar kanë dalë sot para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” me afat deri më 3 qershor për Erik dhe Endrit Mërtirin,  dhe “detyrim paraqitje” për kreun e Lëvizjes Vetëvendosja në Tiranë, Boiken Abazi, Kastriot Qeman, Romeo Lilën, Edion Xhoxhajn, Burim Tafilican dhe Sokol Ndojan.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja në Tiranë, Boiken Abazi, iu bashkua protestës së artistëve dhe qytetarëve shqiptarë kundër shembjes së teatrit.

Në një prononcim, Lëvizja “Vetëvendosje” ka kërkuar sot që organet e drejtësisë në Shqipëri të lirojnë sa më parë aktivistin Abazi. Lëvizja theksonte se shpresonte që kryeministri Edi Rama të mos hakmarrej për prishjen e pazareve me presidentin serb Aleksandër Vuçic.

“Vuçici mund të jetë mik individual i dikujt, por ai nuk mund të jetë kurrë mik i shqiptarëve, për shkak të historisë e politikës që ai përfaqëson”, thuhej në komunikatën e VV-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë