Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka reaguar për herë të parë pas akuzave të forta të opozitës, artistëve dhe shoqërisë civile ndaj Policisë së Shtetit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
“Ka pasur këto ditë disa ‘skifterë’ të shkretë, që e kanë kërkuar te policia shënjestrën e tyre, duke harruar se ajo nuk vendos, as për ndërtimin dhe as për shkatërrimin e ndërtesave. Ka pasur disa syresh që nuk e kanë kursyer as dorën frikacake për të goditur ndaj vajzave dhe djemve të policisë”, shkruan Lleshaj.
Teksa vlerëson maksimalisht punën e policisë, e cila sipas ministrit, punon pa urdhra nga politika, por vetëm përmes ligjit, Lleshaj jep edhe një mesazh të fortë për opozitën.
“Mjeranë udhëhumbur kujtojnë se ende Policia vepron me urdhra, sipas modeleve të mbrapshta që kanë në kokat e tyre të mallkuara nga totalitarizmi. Në fakt, policia sot nuk merr urdhra për veprimet e saj operacionale. Jo. Ministri i Brendshëm nuk jep urdhra për veprimet operacionale. Urdhri i saj i vetëm është ligji, përballë të cilit ajo duhet të jetë thjesht e verbër, për të mos bërë interpretime të tipit: ky është me rëndësi, ky është përtej ligjit, ky është mbi ligjin, ky është vetë ligji, ky është antiligji. Atë ditë që ne do t’i kërkojmë policisë që të bëjë vetë interpretime të ligjit, atë ditë vendi nuk ka më ligj”, vijon më tej ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Ndër të tjera, Lleshaj thotë se “Ministri kujdeset që, së pari të japë me shembullin e tij një model të mirë të ushtrimit të përgjegjësisë publike, së dyti që policia të udhëhiqet drejt një kursi transformimi dhe modernizmi dhe, së treti, që ajo të mbikqyret gjatë plotësimit të misionit të saj ligjor në përputhje me interesin publik, ligjet dhe Kushtetutën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




