Lajme

Liridalje vetëm për pensionistët dhe prindërit me fëmijë, hiqet fasha orare në zonat e gjelbra

Edhe këtë fundjavë, zonat e kuqe do të jenë në karantinë.  Sot dhe nesër në zonat e kuqe lejohen që të dalin pensionistët dhe prindërit me fëmijë deri në moshën 14-vjeç. Pensionistët lejohen të dalin deri në orën 10:00, ndërsa  prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç lejohen të dalin nga ora 11:00 deri në orën 17:30 të pasdites. Sot do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17:30. Të dielën të gjitha mbyllur. Sot dhe nesër do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private. Ndërkohë që nga e hëna nuk do të ketë më fasha orari në zonat e gjelbra.

Bashkitë që janë në zonën e kuqe:  Tirana, Durrësi,  Shkodra, Kurbini, Kruja dhe Fieri. Pjesa tjetër e bashkive të gjelbra janë me rregulla të reja, aktualisht lejohet lëvizja deri në 21:00 dhe nuk ka nevojë për autorizime.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se nga hëna do të ndalohen vetëm 4 aktivitete, transportit publik, aktivitetet sportive, kulturore dhe argëtuese! Pjesa tjetër do të jenë të gjitha hapur, sigurisht duke zbatuar protokollin e sigurisë. Baret dhe restorantet që do të hapen të hënën, do të lejohen të shfrytëzojnë vetëm hapësirën e jashtme, ku krijohet mundësia për respektimin e masave dhe mbi të gjitha të distancimit social.

Për këtë dhe pensionistët ka shkruar sot edhe kryeministri Rama, i cili ndër të tjera ka shpërndarë edhe një video nga qyteti i Tiranës ku duken të moshuarit që kanë mbushur parqet.

Rama në videon e shpërndarë shkruan: “Sa shumë shembuj qytetarie prej tyre në ditë të vështira e sa shumë borxhe për ta sot e gjithmonë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë