Presidenti Ilir Meta i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar. Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj dorëzoi dokumentin ku kreu i shtetit kërkon shfuqizimin e vendimit të Qeverisë që transferon truallin dhe godinën e Teatrit tek Bashkia e Tiranës.
“Kjo është kërkesa e dytë që Presidenti i dorëzon kushtetueses dhe në të kërkohet shfuqizimi i vendimit të 8 majit 2020, që kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës, godinën e Teatrit Kombëtar, që sipas qëllimit të shprehur në vetë VKM-në e Qeverisë duhet të prishet”, deklaroi për Zërin e Amerikës, këshilltari Dervishaj.
Dervishaj tha se kërkesa është në vijimësi të padisë së parë kundër prishjes së godinës.
“Argumentat kushtetues mbeten të njëjtë, që godina paraqet interes të lartë publik dhe kombëtar dhe prishja e saj shkakon humbje. Prandaj, Presidenti kërkon nga Gjykata Kushtetuese fillimisht pezullimin e efekteve të këtij akti deri kur gjykata të shprehet. Të ndalohet çdo veprim administrativ që cenon godinën e teatrit”, tha Dervishaj.
Dorëzimi i kërkesës nga ana e Presidentit i paraprin mbledhjes së parashikuar për të premten të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku në rend të ditës është edhe shqyrtimi i vendimit për prishjen e godinës ekzistuese dhe ngritjes së godinës së re.
Ndërkohë, pasdite e së mërkurës forca të shumta të policisë bashkiake u panë afër teatrit, duke shkaktuar reagim të fortë nga grupi i artistëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile që protesojnë prej muajsh kundër shembjes së godinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




