Lajme

Punonjësja e ujësjellësit rikthen Beratin në hartën e Covid-19

Në një kohë kur qeveria ka nisur lehtësimin e masave dhe po shton më shumë zonat e gjelbra, në hartën e të prekurve rikthehet përsëri qyteti i Beratit me 1 person të infektuar.

Ndonëse,  Berati është  një prej bashkive të shpallura si ‘zona të gjelbra’,  sot ka pasur një të prekur nga kornavirusi. Ajo është një punonjëse e ujësjellësit dhe mediat lokale bëjnë me dije se e infektuara është simptomatike dhe është izoluar në banesën e saj, ndërsa kolegët e saj po kryejnë testin.

Ajo është Shefja e Financës në ndërmarrjen e Sh.A. Ujësjellës-Kanalizimeve Berat. Tamponi i analizave të saj, i nisur dje drejt Tiranës, ka mbërritur sot dhe ka rezultuar pozitiv.

Ndërkohë mësohet se mjekët epidemiologë të Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat kanë filluar me hetimin e kontakteve të 36-vjeçares ,duke filluar nga familjarët e saj dhe kolegët e punës në Ujësjellësin e Beratit.

Punonjësja e Ujësjellësit jetonte në lagjen “10 Korriku” në Berat, së bashku me vajzën e saj.

Përveç punës mendohet se 36-vjeçarja ka pasur kontakte të shumta edhe në fshatin Pobrat, në ish-njësinë administrative Kutalli në Urë-Vajgurore, ku jetojnë prindërit e saj dhe të afërmit.

Ende nuk dihet se sa tampone të tjerë janë kryer sot dhe janë përcjellë në Tiranë, si kontakte të 36-vjeçares, që ka qenë çdo ditë në punë dhe në lëvizje të vazhdueshme. Bashkia e Beratit, menjëherë pas konfirmimit të rastit po kryen fillimisht dezinfektimin e banesës së saj dhe më pas të zyrave të Ujësjellësit, ku ajo punonte.

 Ndërkaq, mjeku Pëllumb Pipero shpjegon për Gazetën “Si” se rasti është rrjellojë kontakti dhe nuk duhet të konsiderohet si një vatër Covid-19.

“Rastet me klinike kane domethënie tani e tutje, jo rastet pozitive se ato janë edhe me shume sesa shohim apo identifikojmë e konfirmojmë!” shprehet mjeku.

Sot Ministria e Shëndetësisë konfirmoi 4 raste të reja me koronavirus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë