Lajme

Turizmi i aventurës që “ushqehet” nga të huajt do të jetë i vështirë…

Tobi Gessler sugjeron cilësi ndaj sasisë dhe beson që do të ketë turistë të rinj vendas

Sabina Veizaj- “Me aq ajër të pastër sa këtë herë, nuk kemi për ta gjetur Dajtin ndonjëherë”- më tregon Marjeni pasi me 5 miq ka ngjitur malin Dajt ditën e dielë pas gati dy muajsh izolim.

“Shkuam deri te Thesari me biçikleta pastaj u ngjitëm. Nuk u takuam. Kishim dezinfektues duarsh me vete. Natyra ishte super me aq ajër të pastër vështirë se do ta gjejmë prapë Dajtin. Pasi u kthyem kishte goxha njerëz që kishin dalë rrugëve. Ata që e kishin shtëpinë afër Thesarit ishin duke bërë xhiro në drejtim të Dajtit”- rrëfen Marjeni.

Ai është administrator i një agjencie turistike, por që këtë udhëtim nuk e bëri në vazhdën e punës, por mbledhje miqsh, pasi siç tregon ai, ende nuk ka një protokoll të qartë si do bëhen organizimet në grup dhe me transport.

“Ende është gjithçka e paqartë, teksa vitet e tjera në këtë kohë sezoni kishte nisur dhe për ne çdo sekondë që kalon është humbje”- thotë Marjen Rama nga Explorer Travel & Tours.

Të njëjtën gjë konfirmon edhe Tobi Gessler nga Ride Albania Mountain Biking i cili është shtetas zvicerian nga  Anglia dhe jeton e punon në Shqipëri prej 2013-ës duke u zbuluar turistëve të huaj mrekullitë shqiptare përmes pedalimit mes maleve.  

Teksa gjendet në Qeparo për të shijuar privatisht ditët e para të sezonit të munguar, Gessler shprehet për gazetën “Si” se turet e tij me mountain bike janë afektuar qartësisht nga situata.

Tobi Gessler

“Sapo kanë mbërritur anulimet e para nga  mysafirët, dhe tani në maj, turin tim të parë për sezonin, jam i detyruar ta anuloj për shkak të mbylljes së kufijve, fluturimeve të munguara apo fluturimeve minimale, shtrëngimeve të udhëtimeve, etj. Ne kemi bujtës 100% të huaj (Europa Perëndimore). Dy javë më parë do të thoja se këtë vit do të kemi minus 90% bujtës, tanimë me situatën që është përmirësuar lehtësisht, parashikoj minus 60% të mysafirëve. Ndoshta do të ketë disa ture në shtator dhe tetor. Deri më sot, supozimi im për vitin 2021 me llojin tim të turizmit me mysafirë të besueshëm që udhëtojnë nga jashtë është minus 30% para krizës / sezoni 2019.”- tregon Gessler.

Megjithatë mbetet për tu parë çdo gjë se si do të jetë dinamika e situatës.

Gessler përpos zotëron agjencinë Ride Albania Mountain Biking , është edhe këshillues për zhvillimin e turizmit të qendrueshëm. Këto kohë ai thotë se është lidhur /ka folur dhe biseduar me aktorë të ndryshëm të sektorit se si ta bëjnë 2020 më të mirë, të vendosin prioritet cilësinë kundrejt sasisë për turizmin në Shqipëri.

Kashar

Turizmi, shpjegon Gessler, është një biznes shumë i ndërlikuar, ai shpejt mund të kthehet i shëmtuar me shkatërrimin e natyrës dhe punë të këqija lokale.

Pra, tani, gjykon ai – mund – të jetë një moment për të punuar për një turizëm më të qëndrueshëm / ekologjik / të vogël / me cilësi në Shqipëri

“Kjo me bizneset private të turizmit (= motivim) donatorët / projektet ndërkombëtare (= financimi i trajnimeve, fushatave etj) dhe institucioni publik./ministri i turizmit (= politika / legjislacioni). Plus një temë tjetër që unë jam duke punuar me / duke ndihmuar disa bujtinat rurale etj. Është se si të përgatisim / bëjmë sa më mirë turizmin vendas këtë sezon”- tregon Tobi Gessler.

Ai pret nga 2020 shumë më pak mysafirë të huaj në Shqipëri – por ndoshta, thotë ai, do të ketë disa mysafirë të rinj vendas shqiptarë.

Tobi Gessler, Drive the Balkans

Turizmi alternativ ose ai i aventurës pritet të ketë shumë vështirësi gjatë këtij viti, pikërisht për shkak të mbylljes së kufijve dhe bllokimit të fluturimeve, pasi ky lloj turizmi siç shpjegojnë përfaqësuesit e kësaj dege të turizmit, ai preferohet kryesisht nga të huajt.

Ergys Vladi nga Travel to Discover Tirana (Explore with Gysi), tregon se klientela e tij është 80 % të huaj dhe 20% shqiptarë, prandaj ndjehet pesimist për këtë sezon që duhej të kishte nisur prej kohësh.

Ergys Vladi

Vladi ofron disa lloje eksplorimesh të Tiranës përmes sporteve dhe guidave  të ndryshme; parashutizëm, pedalim me biçikletë, ekskurison me autobus për të zbuluar atraksionet e Tiranës, hiking, kanoe, etj.

Të gjitha  mjetet i vë në dispozicion agjencia që sëbashku me guidën kushtojnë duke nisur nga 1 mijë lekë.

Por thotë ai, “nga protokolli i masave që lexova, nëse do të ketë turizëm këtë vit e do të çelet drita jeshile, do të  ketë shumë vështirësi dhe  ngritje çmimi të transportit sepse nuk do të mund të kemi kapacitet të plot për shkak të masave. Maskat është shumë e vështirë të mbahen në sportet tona, por do i mbajmë, nuk kemi çfarë bëjmë ”.

“Deri tani të gjitha rezervimet dhe kërkesat ose janë anuluar ose janë shtyrë. Shpresojmë që dy javët në vijim të kemi një sinjal për të filluar që të bilanci në fund të shënojë të paktën mbijetesë”- thotë Vlad inga nga Travel to Discover Tirana (Explore with Gysi).

Travel to Explore Tirana

E njëjta situatë përshkruhet edhe nga Eraldo Sakollari që përfaqëson Outdoor Albania në Përmet për rafting.

“Për momentin nuk po punojmë, Rezervimet e kësaj periudhe janë anuluar. Nuk dimë çfarë do të  bëhet. Ne do të sillemi sipas njoftimeve zyrtare dhe situatës”- shprehet Sakollari.

Edhe Albian Islamllari nga Osumi Raftin përshkruan një tablo më negative. Ai nuk ka shpresë se do të ketë turizëm këtë vit dhe ka hequr dorë.

“Duke marrë parasysh kushtet e sigurisë, nuk preferojmë të rrezikojmë”- thotë ai për gazetën “Si”.

Kurse Aleksandr inga Hiking South Albania do ta vendosë në pasiv biznesin e tij, pasi ai punon vetëm me mysafirë nga Greqia dhe nuk ka kohë të punojë për të ndryshuar klientelën.

“Bordi ka vendosur kështu, ta vendosim në status pasiv për shkak të mbylljes së kufijve. Ne kemi vetëm klientë grekë dhe me ta ecim mirë. Kështu që përderisa ata nuk munden këtë vit, ne do ta mbyllim”- thotë Aleksandri.

Zyrtarisht turizmi i aventurës këtë vit do të vuajë, por sipërmarrësit e shkathët, që shumë syresh prej tyre janë të  rinj i kanë gjetur shtigjet e funskionimit dhe kanë nisur tashmë pas kuintave të zhvillojnë ture të vegjël. Kështu më thanë disa syresh që nuk dëshironin të identifikoheshin, “por gjithmonë me masa sigurie”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë