Krimet seksuale kanë pësuar një rritje edhe gjatë vitit që shkoi. Çdo ditë dëgjojmë raste të ndryshme, për dhunime e përdhunime dhe duket se më të prekurit nga kjo çështje janë fëmijët dhe gratë.
Psikologia klinike Imo Alikaj tregon për Gazetën “Si” se shoqëria jonë e kufizon marrëdhënien seksuale jashtë martesës, e përcakton atë si diçka të keqe, tabu dhe pikërisht këto gjëra janë faktor nxitës dhe ushqyes të krimeve seksuale.
Në të dhënat statistikore të raportuara së fundmi nga INSTAT, për vitin 2019, në totalin e personave të dëmtuar për krime kundër personit, femrat përbëjnë 34,1 % të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit, dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes.
“Përballë këtij fakti do të guxoja të vendosja edhe hipotezën që mund të kemi të bëjmë vetëm me rritje të numrit të denoncimeve. Çka do të na tregonte që abuzimet seksuale kanë qenë prej kohësh aty dhe ne nuk kemi mundur t’i shohim,” shprehet për Gazetën “Si” psikologia.

Ndër të tjera psikologa shpjegon se këtë qasje e shikon edhe mes profesioneve që iu takon të flasin për të. Sipas saj ka edhe profesioniste që merren “kryekëput” me funksionimin e ligjeve dhe çdo profesionist duhet të përmbushë detyrën e tij profesionale përkundrejt shoqërisë.
“Psikologët të flasin më shumë për pasojat psikologjike që rrjedhojë nga krimet seksuale dhe nevojën që kanë viktimat për t’u trajtuar. Nga ana tjetër t’i trajtojnë edhe dhunuesit në kuadër të çrregullimeve të tyre. Është kusht që çdo rast të diagnostikohet për të kuptuar si këto çrregullime ndikojnë në sjelljen e këtyre dhunuesve. Si viktima edhe dhunuesit kanë nevojë, ndër të tjera për trajtim psikoterapeutik dhe në disa raste edhe mjekësor. Duke diskutuar në këtë mënyrë, psikologët bëjnë detyrën e tyre për të edukuar shoqërinë e gjerë të kërkojë ndihmë te specialistët në situata të tilla. Gjithashtu bëjnë detyrën e tyre nëpër gjykata që “i pandehuri” jo vetëm të ndëshkohet për veprën penale, por edhe të trajtohet problemi i tij me dinjitet dhe efikasitet. Për rrjedhim edhe sistemi i drejtësisë do të përmbushë misionin e tij; gjurmimin, identifikimin, ndëshkimin dhe rehabilitimin,” shton Alikaj.
Për sa i përket kategorisë së veprave penale, ku bëjnë pjesë edhe krimet seksuale tregohet se janë regjistruar në total 43.045 autorë për vepër penale, 8,6 % më shumë, krahasuar me vitin 2018. Numri i autorëve sipas veprave penale përfshin numrin e personave të dyshuar të cilët mund të jenë të pranishëm në më shumë se një vepër penale dhe autori numërohet në të gjitha veprat ku është i dyshuar. Statistikat kanë treguar se numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale në krahasim me vitin 2019 është 36.083 autorë, 4,5 % më pak, krahasuar me vitin 2018.

Të dhënat tregojnë se 33.1% e autorëve janë të grupmoshës 30-44 vjeçare, 28% janë të grupmoshës 18-29 vjeç dhe 25.7% i përkasin grupmoshës 45-59 vjeç.
Për këtë çështje psikologja shprehet se komunikimi dhe edukimi ndaj këtyre faktorëve duhet të nisi që në gjenezë, pra që tek fëmijët. Ajo shpjegon se mësuesit kanë një rrol të jashtë zakonshëm për rritjen e fëmijëve të sigurt, të fuqishëm dhe të informuar, por sipas psikologes, jo të gjithë e kryejnë detyrën dhe jo e gjithë Shqipëria është Tiranë.
“Ka qytete të vogla ku temat mbi trupin, riprodhimin, edukatën seksuale apo të tjera shmangen. Në rastin më të mirë fëmijët e bëjnë pushim atë orë dhe në rastin më të keq qeshin të turpëruar bashkë me mësuesin. Cili është mesazhi që vazhdojmë të përcjellim ndër breza? Përsëri shshsht, turp, mos fol…
Prindërit, ende nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është të flasësh me fëmijët për gjithë këtë. Madje ata ende nuk e dinë se mund të flasin për trupin dhe pjesët private që herët, që në kopsht. Fatkeqësisht ka ende disa prindër që shkojnë më tej; ndrydhin pyetjet kurioze duke i quajtur ato të ndaluara dhe të turpshme. Pa e kuptuar në fakt se po rrisin fëmijë që nuk mund të mbrohen,” shton Alikaj.

Ndër të tjera psikologja shpjegon se është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, deri në ditën kur fëmijët e fëmijëve të viteteve ’90 të ndihen të lirë, të duan dhe të respektojnë veten, edhe në dimensionin seksual.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




