Sabina Veizaj – Arjana Isaku është sipërmarrëse në fushën e turizmit.
Ajo ka një agjenci tursitike që zhvillon paketa për jashtë Shqipërisë, po ashtu edhe për turizmin e brendshëm.
Sipërmarrja e saj në bazë të xhiros vjetore kategorizohet në biznes të madh. Ajo ka 7 punonjës të cilët i ka paguar edhe për muajin prill me rrogën e tyre të zakonshme, të deklaruar, ndërsa me bllokimin e lëvizjeve nga urdhrat e qeverive dhe izolimin ajo prej gati dy muajsh nuk ka regjistruar asnjë të ardhur.
“Biznesi im bën pjesë në paketën e dytë të shpëtimit të qeverisë. Kam aplikuar për të përfituar pagesën prej 40 mijë lekësh që jepet vetëm një herë për të 7 punonjësit, por më është refuzuar dhe motivacioni nuk jepet. Kam bërë ankesë, por nuk më kanë kthyer përgjigje deri më tani”, thotë për Gazetën “Si” Arjana Isaku e “Dea Lines”.
“Unë nuk i kam hequr punonjësit nga listpagesa sepse shpresoja në ndihmën e qeverisë, e cila nuk është ndonjë shumë e madhe, por të paktën ndihmon teksa kemi zero punë. Është një situatë pasigurie dhe paqartësie se si do të jetë e ardhmja e afërt. Puna jonë varet nga urdhrat e Bashkimit Europian për zhbllokimin e lëvizjeve. Edhe vendimet e qeverisë shqiptare për të zhvilluar turizmin e brendshëm. Ne do të punojmë për paketa e turizmit të brendshëm, por ne funksionojmë me transport, kështu që presim masat e qeverisë dhe rregullat se si do të mund të zhvillohet turizmi i brendshëm”, tregon Znj, Isaku.
Sipas saj, nëse masat do të vijojnë të shtrënguara dhe BE do të vijojë të bllokojë lëvizjet në zonën Shengen, znj. Isaku thotë se do ta vendosë sipërmarrjen në status pasiv.
Si ajo dhe një sërë biznesesh të ngjashëm me të nëse nuk do të kenë punë.
Floria nga Alex Travel, agjenci që kategorizohet në biznes të vogël thotë se ka aplikuar për pagesën e vetme prej 40 mijë lekësh për vete dhe punjësin e saj.
“Mi kanë miratuar të dy pagat. Punonjësit tim i ka kaluar në pagë pagesa prej 40 mijë lekësh, kurse mua nuk më ka kaluar ende. Por ishalla nuk harrojnë se kjo pagesë vetëm një herë është, qesharake. E kanë bërë sa për të kaluar radhën. Dhe nuk e kuptoj se si i rendisin shpërndarjen e pagesave”, thotë Florja.
Eva Rama nga Explorer Travel & Tours flet shumë e indinjuar për situatën.
Ajo thotë se nga paketa e dytë mbështetëse përfituan vetëm strukturat akomoduese, të cilat pritet të kenë punë këtë verë, kurse agjencitë, tur operatorët dhe transporti turistik që kategorizohen tek biznesi i madh, që qeveria nuk i ka mbyllur, por kanë zero arkëtime në dy muaj, nuk janë mbështetur asesi.
“Unë po punoj me orare të shkurtuara, thjesht punë administrative, dokumente. Nuk përfitova nga paketa mbështetëse kategorisë së cilës i përkisja, sepse duhet ti kisha hequr nga puna punonjësit e mi përpara datës 10 Prill që të përfitonin këtë 40 mijë lekëshin Unë u pagova marsin dhe do t’u bëj gjysmë page për Prillin sepse që nga 15 Prilli i shkurtova të gjithë, perveçse një punonjësi. Ndërkohë, që strukturat akomoduese e përfituan pa përjashtim 40 mijë lekshin. Madje, ata me fillimin e sezonit do t’u levizi diçka, por agjencitë dhe tour operatorët janë totalisht të bllokuar duke lënë jashtë tour operatorët, agjencitë turistike dhe transportin turistik supozohet që ti i mban në pune dhe ke detyrimin ti paguash, pa marrë parasysh që aktiviteti është totalisht i bllokuar dhe një pjesë i kanë mbajtur punonjësit në punë me idenë që do të mbështeteshin dhe është edhe çështje sociale nga ana jonë”- shprehet Eva Rama nga Explorer Travel & Tours.
Kurse Kliton Gërxhani, më konçiz dhe ironik, shprehet në lidhje me kërkesat për t’u mbështetur sektori i turizmit se “Ministri Klosi u futi një të lyer me bojë të bardhë kërkesave tona, asgje më shumë.”
Statistikat tregojnë sa pak është mbështetur turizmi
Drejtoria e Tatimeve ka në raportimin e përditësimit të të dhënave për shpërndarjen e ndihmës financiare, të lidhur me paketën e dytë, që parashikon dhënien e një page prej 40 mijë lekësh vetëm një here thotë se kërkesa është miratuar për 80 mijë punonjës. Nga kjo paketë janë parashikuar të përfitojnë 176 mijë të punësuar.

Sipas tatimeve, rreth 70 mijë persona e kanë marrë tashmë këtë ndihmë kurse në proces shqyrtimi janë dhe kërkesat për 11.5 mijë punonjës.
Deri tani, shuma e paguar është rreth 2.9 miliardë lekë, ose rreth 23 milionë euro.
Nga 80 mijë punonjës të miratuar në total, pjesa më e madhe e tyre, rreth 62%, i përkasin masës 3, ose të punësuarve të biznesit të vogël. Masa 3 parashikon ndihmën financiare për të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 mln lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS. Nga kjo masë kanë përfituar deri tani 53 mijë punonjës.
Mandej numri më i lartë i përfituesve është për masën 2, me rreth 23 mijë persona, ose 29% e totalit. Masa 2 parashikon se Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/urdhrave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40 mijë lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 Prill 2020.
Për masën 1, Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ urdhrave të MSHMS, numri i përfituesve është rreth 2 mijë, ose 2.5% e totalit.
Numri më i ulët i përfituesve është për masën 4. Në këtë kategori kanë përfituar vetëm 1 mijë persona. Kjo masë parashikon pagesa për “Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listepagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese”.
Peticioni

Të prekurit nga kriza si pasojë e Covid-19 në sektorin e turizmit kanë iniciuar një peticion, duke kërkuar të arrijnë heqjen e subjekteve të regjistruar si Tur Operator dhe Agjenci Turistike nga lista e urdhrit/ave të MSHMS, në mënyrë të tillë që këto subjekte të arrijnë të aplikojnë për ndihmën ekonomike të dhënë nga shteti për cdo punonjës të tyre”, citohet në tekstin e peticionit.
Sipas Organizatës Botërore të Turizmit e cila përditëson shpesh statistikat e sektorit dhe pasojat që ka shkaktuar kriza Covid-19, 100% e destinacioneve turistike në rang global kanë marrë masa shtrënguese dhe çdo ditë në sektorin e turizmit në rang global humbasin 1 mln vende pune.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




