Grupi hetimor që po merret me zbardhjen e vrasjes së stilit mafioz të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në ngjarjen e ndodhur ditën e hënë në Shanavlash të Durrësit është në pritje të zbardhjes së përgjimeve telefonike në përpjekje për të mësuar më shumë rreth shkaqeve dhe autorëve të dyshuar të ngjarjes.
Paralelisht me këtë procedurë hetimore, në një zonë të gjerë mes Durrësit, Krujës, Shijakut dhe Laçit është ndërmarrë një operacion në përpjekje për të rënë në gjurmë të automjetit tip Toyota ngjyrë grip, që dyshohet se është përdorur nga autorët e sulmit.
Grupi hetimor ka rindërtuar paraprakisht dinamikën e lëvizjes së autorëve duke shfrytëzuar dëshmitë e marra nga personat që kanë dëgjuar të shtënat dhe nga dëshmitarët okularë që i kanë parë ata të largohen me mjetin Toyota. Nga ky rindërtim paraprak, dyshohet se autorët e sulmit kanë qenë të paktën tre persona.
Ndërkohë, dëshmitë e familjarëve të viktimave ndihmojnë pak policinë në zbardhjen e aktit mafioz. Ata janë shprehur para policisë se nuk kishin në dijeni të ndonjë konflikti të Besmir dhe Viktor Haxhiajt me persona të tjerë, as brenda dhe as jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




