Pandemia Covid-19 ka bërë që të gjitha destinacionet në të gjithë botën të vendosin kufizime në udhëtime. Këtë e konfirmon raporti më i fundit i publikuar sot, (e martë), nga Organizata Botërore e Turizmit.
Kjo paraqet kufizimin më të ashpër në udhëtimet ndërkombëtare në histori dhe asnjë vend nuk ka hequr deri më tani kufizimet e ndërmarra në përgjigje të krizës.
Duke ndjekur hulumtimet e mëparshme, të dhënat e fundit nga agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara për turizmin tregojnë se 100% e destinacioneve tanimë kanë kufizime në vend. Nga këto, 83% kanë pasur kufizime të lidhura me COVID-19 tashmë për katër ose më shumë javë dhe, nga 20 Prilli, deri më tani asnjë destinacion nuk i ka hequr ato.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili është hsprehur se: “Turizmi ka treguar përkushtimin e tij për t’i vendosur njerëzit të parët. Sektori ynë gjithashtu mund të udhëheqë rrugën në rikuperimin e makinës së ekonomisë. Ky hulumtim mbi kufizimet globale të udhëtimit do të ndihmojë në përkrahjen e zbatimit me kohë dhe të përgjegjshëm të strategjive të daljes, duke lejuar destinacionet të lehtësojnë ose heqin kufizimet e udhëtimit kur të jetë e sigurt për ta bërë këtë. Në këtë mënyrë, përfitimet sociale dhe ekonomike që ofron turizmi mund të rikthehen, duke siguruar një rrugë drejt rimëkëmbjes së qëndrueshme si për individët ashtu edhe për vendet. “
Raporti është i bazuar në hulumtime të kryera nga fundi i janarit 2020 deri në 20 prill 2020 dhe përmban rezultatet e monitorimit të të gjitha kufizimeve të udhëtimit që janë zbatuar gjatë kësaj periudhe. Organziata Botërore e Turizmit ka kontaktuar gjithashtu autoritetet në mënyrë direkte për të marrë informacione më të sakta dhe statistika.
Raporti citon se, hulumtimi përfshin analizën e kategorive të ndryshme të kufizimeve të udhëtimit, si dhe evolucionin përkatës të tyre në masa më të diferencuara, dhe kohën e zbatimit të tyre. Monitorimi i kufizimeve të udhëtimit bëhet nga këndvështrimi i lehtësimit të udhëtimit për qëllime të turizmit (d.m.th. duke u përqëndruar në vizitorë / turistë të përkohshëm) dhe nuk merr parasysh masat që i drejtohen banorëve, diplomatëve dhe kategorive të tjera të udhëtarëve. Ky raport nuk merr në konsideratë këshillat e udhëtimit të lëshuara nga qeveritë për qytetarët / banorët e tyre përkatës.
Kjo punë kryhet nga Organizata Botërore e Turizmit, Departamenti i Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit që, ndër të tjera, monitoron politikat e vizave në të gjithë botën që nga viti 2008 dhe prodhon Raportet e Hapjes së Vizave, të cilat përqendrohen në kërkesat e hyrjes për qëllime të turizmit.
Kufizimet në lëvizje sipas kohës dhe ashpërsisë
Hulumtimi i Organizatës Botërore të Turizmit zbërthen llojin e kufizimeve të udhëtimit që janë prezantuar nga destinacionet në të gjitha rajonet globale, ndërsa gjithashtu planifikon evolucionin e këtyre kufizimeve që nga 30 janari – kur Organizata Botërore e Shëndetit shpalli COVID-19 si një Pandemi Globale. Analiza e fundit tregon se, nga 217 destinacione në të gjithë botën: (tabela)

45% kanë mbyllur plotësisht ose pjesërisht kufijtë e tyre për turistët – “Pasagjerët nuk lejohen të hyjnë”
30% kanë pezulluar fluturimet ndërkombëtare plotësisht ose pjesërisht – “të gjitha fluturimet janë pezulluar”
18% po ndalojnë hyrjen për pasagjerë nga vendet specifike të origjinës ose pasagjerët që kanë tranzituar nëpër destinacione specifike
7% janë duke aplikuar masa të ndryshme, të tilla si karantinë ose izolim për 14 ditë dhe masa për viza.
Përkundër këtij sfondi, Organizata Botërore e Turizmit ka udhëhequr thirrjet për qeveritë në të gjithë botën që të angazhohen për të mbështetur turizmin përmes kësaj sfide të paparë ndonjëherë në histori.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm Pololikashvili, rënia e beftë e kërkesës për turizëm të shkaktuar nga COVID-19 vendos miliona vende pune dhe mjete jetese në rrezik, ndërsa në të njëjtën kohë rrezikon përparimet e bëra në zhvillimin e qëndrueshëm dhe barazinë gjatë viteve të fundit.
Kriza aktuale COVID-19 ka ndikuar në udhëtime si asnjë ngjarje tjetër më parë. Për herë të parë në histori, të gjitha destinacionet në të gjithë botën kanë vendosur kufizime të udhëtimit, përfshirë mbylljen e plotë të kufijve për udhëtarët në shumë destinacione.
Evolucioni i kufizimeve të udhëtimit me kalimin e kohës
Kur më 30 janar 2020, Organizata Botërore e Shëndetit deklaroi dhe përkufizoi COVID-19 si një epidemi me rrezik, 11 destinacione vendosën kufizime të drejtuara për udhëtarët që vijnë nga Kina dhe ndaluan hyrjen e tyre në destinacion. Gjashtë ditë më vonë, më 5 shkurt 2020, ky numër ishte rritur katër herë dhe kishte arritur në 40 destinacione.

Brenda 5 ditëve të tjera, më 10 shkurt 2020, numri i destinacioneve me kufizime të udhëtimit ishte rritur në 56. Deri atëherë, 24 destinacione në të gjithë botën kishin raportuar raste të konfirmuara me COVID-19. Me përhapjen e rasteve të COVID-19 në një numër në rritje të vendeve, numri i kufizimeve të udhëtimit u rrit gjithashtu. Më 11 mars 2020, kur OBSH e shpalli COVID-19 një pandemi, gjithsej 85 destinacione kishin kufizime udhëtimi. Deklarimi i pandemisë shkaktoi një valë të re të kufizimeveve në udhëtim, që përfshinte fillimin e zbatimit të masave të tilla edhe në vendet europiane. Si rezultat, midis 9 dhe 16 mars 2020, 38 destinacione shtesë aplikuan kufizime të udhëtimit, nga të cilat 20 ishin nga Europa, duke e çuar gjithsej në 119 numrin e destinacioneve në të gjithë botën. Deri në 24 Mars 2020, numri i destinacioneve me kufizime ishte më shumë se dyfish, nga 85 në 181 destinacione, një rritje prej 112%.
Nga 24 marsi deri më 20 prill 2020, të gjitha destinacionet e mbetura vendosën kufizime të udhëtimit duke sjellë në total 217 destinacione, që përfaqësojnë 100% të destinacioneve në të gjithë botën.
Deri më sot, 180 destinacione, d.m.th. 83% e të gjitha destinacioneve në të gjithë botën që kanë të bëjnë me COVID-19 kanë kufizuar udhëtimet në vend për më shumë se katër javë. Nga këto, 107 destinacione, d.m.th. 49% e të gjitha destinacioneve globalisht kanë mbyllur kufijtë e tyre ose kanë pezulluar fluturimet.
Kategoritë e kufizimeve të udhëtimit që prekin turistët dhe udhëtarët
Në fillim të krizës, u vërejtën dy kategori kryesore të kufizimeve të udhëtimit, njëra u drejtohej pasagjerëve që vinin nga një vend ku ishin konfirmuar raste me COVID-19 dhe tjetra ishte pavlefshmëria ose pezullimi i vizave.
Me kalimin e kohës janë vërejtur masa shtesë, siç është kërkesa për çertifikata mjekësore, mbërritja në një destinacion ose kërkesa për vetëizolim ose karantinë.
Sapo OBSH e shpalli COVID-19 një pandemi, dy kategori të reja, më ekstreme të kufizimeve të udhëtimit filluan të zbatohen, përkatësisht mbyllja e plotë dhe e pjesshme e kufijve dhe pezullimi i fluturimeve nga qeveritë. Këto dy kategori përdoren, në datën aktuale, nga shumica e destinacioneve (75%).
Katër kategoritë e kufizimeve të udhëtimit në zbatim në 217 destinacione janë duke nisur nga 20 prilli i vitit 2020 si vijon: 97 destinacione (45%) kanë mbyllur plotësisht ose pjesërisht kufijtë e tyre për turistët – “Pasagjerët nuk lejohen të hyjnë”. 65 vende (30%) kanë pezulluar fluturime plotësisht ose pjesërisht ndërkombëtare – “të gjitha fluturimet janë pezulluar”. 39 destinacione (18%) po zbatojnë mbylljen e kufijve në një mënyrë më të diferencuar duke ndaluar hyrjen për udhëtarët nga vendet specifike të origjinës – “Pasagjerët që kanë tranzituar ose kanë qenë në x vend nuk lejohen të hyjnë”. 16 destinacionet e mbetura (7%) po aplikojnë masa të ndryshme, të tilla si karantinë ose vetë-izolim për 14 ditë ose masa të vizës.
Analiza rajonale e kufizimeve të udhëtimit
Në rajonet e Lindjes së Mesme (54%) dhe Afrikës (45%) masa e pezullimit të fluturimeve mbizotëron mbi llojet e tjera të masave, ndërsa në Amerikë (51%), Europë (48%) dhe Azi e Paqësor (46 %), është mbyllja e kufijve (totale ose e pjesshme) e cila është më dominuese.

Në lidhje me masat që përqendrohen në kufizimet e diferencuara të udhëtimit që synojnë vendet specifike, është në Europë ku më shumë nga këto masa janë në zbatim (28%) të ndjekura nga Azia dhe Paqësori (24%).
Heqja e kufizimeve të udhëtimit
Që nga 20 prilli 2020, asnjë destinacion nuk ka hequr një kufizim udhëtimi të prezantuar në kontekstin e COVID-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




