Lajme

AIS: Tenderat sekretë antikushtetues! SPAK i ka duart e lidhura

Vendimi i Këshillit të Ministrave mbi bazën e të cilit janë tenderuar dhe klasifikuar si sekret shtetëror kontratat e lidhura me kompani për materiale dhe pajisje mbrojtëse ndaj Covid-19 është marrë para se Shqipëria të goditej nga pandemia.

Bëhet fjalë për vendimin numër 203 të miratuar më 26 shkurt të këtij viti, ndërkohë që rasti i parë me Covid-19 në vendin tonë u regjistrua në datën 8 mars. Në objektin e këtij vendimi thuhet se “është përcaktimi i procedurës për lidhjen e kontratave të mallrave, punëve dhe/ose shërbimeve që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit”.

Mbi këtë objekt i njëjti vendim u modifikua më 22 mars, 10 ditë pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ku u përfshi me dispozitë kalimtare për procedurat që lidhen me epideminë e shkaktuar nga Covid-19.

Për “Albanian Institute of Science”, promotore e “Open Data Albania” interpretimi që i ka bërë qeveria togfjalësisht “interes thelbësor i shtetit” është evaziv.

“VKM nuk ka përcaktuar përkufizimin e gjendjes, rrethanave, apo rasteve kur kemi të bëjmë me “interesa thelbësorë të shtetit”, por këto rrethana i ka lënë rast pas rasti në vlerësim të autoriteteve kontraktore. Pra e thënë shkurt, kushtet kur termi “interesa thelbësorë të shtetit” nuk ka gjetur një rregullim ligjor, ngelet një situatë abstrakte e pa përkufizuar dhe në vlerësimin subjektiv të çdo autoriteti duke rritur riskun për arbitraritet”, thotë në një reagim ky institut.

AIS rendit 15 tituj kontratash sekrete të miratuar të miratuara duke iu referuar këtyre dy vendimeve. Instituti thotë se kuadri ligjor i rregullt për prokurimet publike ishte i mjaftueshëm dhe i plotësuar edhe me parashikimet për gjendjen e emergjencës.

“Kontratat sekrete janë të panevojshme, jo kushtetuese dhe jo ligjore në kontekstin e blerjeve për situata pandemish. Qeveria vendos t’i aplikojë, megjithëse legjislacioni i rregullt për Prokurimet Publike ka mjaftueshëm rregullime për blerje në kushte emergjence. Kontratat sekrete janë kontrata për të cilat nuk dimë vlerën, objektin e detajuar, kushtet, cilësitë e mallit, kriteret e blerjes dhe dorëzimit, kushtet dhe afatet e pagesës, e shumë detaje të tjera”, vijon AIS.

Qëllimi i miratimit të këtyre kontratave duke iu referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe jo ligjit, si dhe klasifikimi i tyre sekret, sipas AIS është shmangia e përgjegjësisë penale nëse rezulton që ato janë korruptive dhe klienteliste.
“Këto kontrata, nëse janë tipike korruptive, apo klienteliste nuk hetohen dot nga Prokuroria. SPAK ka duart e lidhura. Të rregulluara me Akt Normativ dhe VKM kontratat sekrete mbeten pjesë e përgjegjësisë politike dhe bllokohet përgjegjësia penale. Kjo është arsyeja pse Qeveria “Rama” në vend që të përdorë legjislacionin në mbrojtje të shëndetit publik, ku ka mjaftueshëm masa për menaxhim të situatës, vendosi gjendje të jashtëzakonshme të fatkeqësisë. Me këtë zgjidhje juridike i lejon vetes dhe zyrtarëve keqqeverisje pa iu nënshtruar përgjegjësisë penale”, thuhet në deklaratë.

Reagimi shoqërohet me listën e 15 kontratave të fituara nga 15 operatorë ekonomikë. Vlera e kontratave dhe detajet për sasinë, apo cilësinë e produktit të ofruar nga operatorët privatë janë të klasifikuara sekret.

Një pjesë të këtyre tenderave, Partia Demokratike i ka cilësuar si klientelistë dhe korruptivë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë