Fermerët do të nisin aplikimet brenda një muaji për të përfituar nga fondet që jep buxheti i shtetit si mbështetje për sektorin e bujqësisë përmes Skemës Kombëtare. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, teksa ishte në Balldren të Lezhës, ku vizitoi një nga komplekset më të mëdha blegtorale në rajon që mbarështon rreth 400 lopë të racës brun-alpine, tha se këtë vit pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për të mbështetur blegtorinë.
Subvencionet do të jepen për tufën bazë, për krerët e lopëve dhe të të imtave të matrikulluara.
“Brenda një muaji do të hapim aplikimet për skemën e mbështetjes nga buxheti i shtetit. Rreth 70% të këtyre parave do t’ia kushtojmë blegtorisë si sektori më delikat dhe me më tepër probleme. Sivjet ne do të paguajmë vetëm për tufën bazë, për çdo krerë të matrikulluar. Paratë do të shkojnë direkt tek fermeri”, është shprehur ministri Çuçi.
Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë. Aplikimet ishin parashikuar të nisin në fund të muajit mars, por u shtynë për shkak pandemisë së Covid-19.
Masat e mbështetjes përmes Skemës Kombëtare janë komplementare me programin IPARD dhe nuk krijojnë mbivendosje me të. Veç mbështetjes për sektorin e blegtorisë, pjesa tjetër e fondeve do të shkojë për subvencionimin e çmimit të plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, çertifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




