Lajme

Covid-19 paralizoi lëvizjet. Mbi 60 % më pak hyrje-dalje nga Shqipëria

Të dhënat e muajit mars për hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë e të huaj në Shqipëri dhe jashtë saj të raportuara nga INSTAT tregojnë fare qartë se si Covid-19 e paralizoi jetën anembanë globit.

Me urdhrin e izolimit dhe vendimin për mbyllje kufijsh, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin mars 2020, janë 272 mijë e 514.

Krahasuar me marsin e 2019, kjo shifër tregon rënie 61,8 %. Në mars 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 95 mijë e321. Krahasuar me Mars 2019, ky numër ka rënë me 66,4 %.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë përgjatë tre muajve të parë 2020 është 573.723, duke rënë me 17,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Anglia rezulton të ketë pasur rritjen më të madhe në pjesën e parë të marsit kur janë lejuar fluturimet, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur SHBA, krahasuar me marsin 2019.

Përgjatë tre muajve të parë 2020, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka pasur rritjen më të madhe me 27,0 % ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur SHBA me 36,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit mars 2020, janë 284.929 duke shënuar një rënie me 60,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit mars 2020, janë 175.627. Krahasuar me marsin 2019, ky numër ka rënë 60,5 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit mars 2020, janë 109.302, krahasuar me marsin 2019, ka pësuar rënie me 61,5 %.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë përgjatë tre muajve të parë 2020, është 1.100.290 duke rënë 12,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë