Banka e Shqipërisë thotë se aktualisht ka para mjaftueshëm, por situata e paprecedentë që ka shkaktuar pandemia Covid -19 vë çdo vend në kushte pasigurie dhe të ardhme të panjohur, prandaj Banka ka vendosur të përdoren edhe ushtrimet e provës së rezistencës.
“Ndonëse pandemia do të jetë e përkohshme, mbetet e panjohur se kur dhe me ç’ritëm do të dalë ekonomia nga efektet e saj. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë, në konsultim me bankat dhe subjektet e tjera të mbikëqyrura, do të punojë për të konceptuar veprime të tjera të natyrës rregullative që do t’i përgjigjen zhvillimeve. Duhet theksuar se të gjitha veprimet që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren, do të orientohen gjithmonë nga objektivi kryesor, ai i ruajtjes së qëndrueshmërisë së sektorit bankar. Në këtë proces, kapacitetet e sektorit bankar do të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe për këtë qëllim do të përdoren edhe ushtrimet e provës së rezistencës.”- citon Banka e Shqipërisë.
Për fundin e vitit 2019 dhe në raport me rreziqet konvencionale, sipas saj. rezultatet e ushtrimeve të provës së rezistencës për gjendjen e kapitalizimit dhe të likuiditetit, tregonin gjendjen mjaft të mirë të këtyre kapaciteteve. Por situata e pandemisë, për efektet dinamike që po sjell në ekonominë e vendit, për Bankën, duket se përfaqëson një natyrë rreziku jokonvencional. Përballja me një situatë të tillë përmban të panjohura, thotë Banka Qendrore, të cilat kanë nevojë të kapen në mënyrë të përshtatshme nga modelet aktuale të vlerësimit të kapaciteteve të sistemit financiar dhe të sektorit bankar. Për këto arsye, është e nevojshme që bankat: të rrisin përparësinë dhe frekuencën e realizimit të këtyre ushtrimeve, duke përshtatur natyrën, ashpërsinë dhe kompleksitetin e skenarëve; të vlerësojnë përshtatshmërinë e kapaciteteve që zotërojnë, për të përballuar goditjet eventuale që prodhojnë ata skenarë, jo vetëm në afatin e shkurtër por edhe në një afat më të gjatë; të sigurojnë një proces vendimmarrjeje sa më të shpejtë dhe efektiv, për t’i fuqizuar këto kapacitete. Fokusi duhet të jetë tek ndërmarrja e veprimeve që jo vetëm ruajnë por edhe përmirësojnë më tej gjendjen e rezervave të kapitalit dhe të likuiditetit; të forcojnë komunikimin me Bankën e Shqipërisë, për analizimin e zhvillimeve dhe të rezultateve.
Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të lëvizë shpejt për të zbutur situatën e krizës në drejtim të qytetarit dhe biznesit.
“Është e nevojshme që, për aq sa është e mundur, autoritetet publike të ndërmarrin veprime të shpejta dhe të rëndësishme për të ndërprerë rrjedhën e lirë të skenarëve negativë që mund ti kanosen ekonomisë dhe financave të vendit, dhe për të mbështetur ndërmarrjet, familjet dhe sistemin financiar në zbutjen dhe përballimin e efekteve negative që i shoqërojnë këta skenarë.”- citon Banka duke përmendur masat galopante të marra nga SHBA dhe vendet europiane për tu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bzineseve që të përballojnë krizën me sa më pak humbje të jetë e mundur,
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë vendosur në dispozicion fonde financiare dhe instrumente të posaçme për shfrytëzimin e tyre, me qëllim humarrjen e shpejtë të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Komisioni Europian shpalli paketën e posaçme financiare prej 37 miliardë eurosh për përballimin e efekteve ekonomike dhe financiare, që shoqërojnë shpërthimin e epidemisë në vendet anëtare. Fokusi është tek familjet dhe bizneset e vogla e të mesme, të cilat mund të përballen me nevoja të ngutshme për likuiditet. Së fundi, Komisioni Europian deklaroi se do të mbështesë pezullimin e kërkesave të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes për përgjegjësinë fiskale, duke u mundësuar qeverive të vendeve anëtare të rrisin shpenzimet e nevojshme për përballimin e situatës. Në sferën monetare, Banka Qendrore Europiane, në mbledhjen e datës 12 mars, ruajti kushtet monetare akomoduese dhe rriti në 120 miliardë euro paketën mujore të injektimit të likuiditetit përmes blerjes së titujve, duke synuar edhe zbutjen e luhatshmërisë së normave të interesit. Pak ditë më vonë, kjo u pasua nga një paketë e dytë në vlerën 750 miliardë euro. Më parë, edhe simotrat e saj në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar kishin marrë masa të ngjashme. Këto veprime të shpejta, ofruan shpresë dhe ndihmuan në ndalimin dhe korrektimin e pjesshëm të humbjeve të thella që kishin pësuar tregjet më të rëndësishme financiare. Nga këndvështrimi i mbikëqyrjes bankare në Bashkimin Europian, Banka Qendrore Evropiane dhe Autoriteti Bankar Europian kanë mbështetur nevojën për fleksibilitet në trajtimin rregullativ nga ana e autoriteteve mbikëqyrëse, për të bërë të mundur që bankat të shndërrohen në një kanal më efektiv të përcjelljes së likuiditetit në ekonomi në situatën aktuale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




