Shqiptarët nuk besojnë që qeveria që kanë është në gjendje që të luftojë korrupsionin. Në këtë përfundim ka dalë një raport i Lidershipit për Zhvillim dhe Integritet në Europën Jug-lindore (SELDI).
Raporti është hartuar pas një ankete të zhvilluar me qytetarët. SELDI thotë se 78 për qind e shqiptarëve nuk besojnë se korrupsioni mund të çrrënjoset nga shoqëria dhe institucionet dhe vetëm 22 për qind mendojnë të kundërtën.
Këto të dhëna i bëjnë shqiptarët qytetarët më pesimistë në Ballkanin Perëndimor në luftën kundër korrupsionit, ndjekur nga maqedonasit, 69 për qind e të cilëve nuk besojnë se korrupsioni mund të çrrënjoset.
Një tjetër pyetje në anketën e SELDI ishte nëse qytetarëve u është kërkuar, apo kanë dhënë ndonjëherë rryshfet për ofrimin e një shërbimi, apo për të përfituar të mira materiale në rrugë të paligjshme.
44.8 për qind e të anketuarve thanë se u është kërkuar para nga institucionet shtetërore, ndërsa 34 për qind pohuan se kishin paguar nën dorë nëpër institucione të ndryshme. Në këtë pjesë të anketës, Shqipëria renditet e dyta, pas Bosnje Hercegovinë, ku 55 për qind e të pyeturve kanë deklaruar se u është kërkuar rryshfet dhe 48.2 për qind thanë se kishin paguar rryshfet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.