Banka Botërore vlerëson se fatura e dëmit të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri është sa 7.5 përqindëshi i Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke konfirmuar përllogaritë e Kryeministrit Edi Rama që flet për rreth 1 miliardë euro dëme.
Vlerësimi i përgatitur bashkërisht nga Qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore zbulon se efektet totale të katastrofës në njëmbëdhjetë bashkitë e prekura arrijnë në mbi 980 milionë Euro. Shumica e dëmeve janë regjistruar në sektorin e banesave, pasuar nga sektori prodhues si biznesi dhe turizmi, bujqësia dhe trashëgimia kulturore dhe sektori arsimor.
Për të adresuar efektet e dëmit dhe të ardhurave të humbura si rezultat i tërmetit, vlerësimi arriti në përfundimin se do të duheshin gati 1.08 miliardë Euro në të gjithë sektorët për rimëkëmbje. Sektorët që reflektojnë nevojat më të mëdha janë strehimi, që përfaqëson pothuajse 76% të të gjitha nevojave, pasuar nga arsimi dhe infrastruktura.

Parashikimi për gjendjen e ekonomisë bëhet më i zymtë nisur nga fakti që Banka Botërore vlerëson se ritmi i zgjerimit të ekonomisë u ndal në 3.2 për qind nga 3.5 për qind që ishte paarashikimi i saj për 2019. Të njëjtën trajektore rënëse, BB e parashikon edhe për 2020, pavarësisht se Qeveria parashikon që ekonomia të rritet me 4.1 për qind për këtë vit.
Një nga shkaqet e uljes së rritjes ekonomike pritet të jetë industria e turizmit, që sipas BB-së së bashku me industrinë e ndërtimit janë sektorët të goditur më fort nga tërmeti i 26 nëntorit. Megjithatë, Banka Botërore parashikon një gjallërim të sektorit të ndërtimit, që do të marrë shkas kryesisht nga procesi i rindërtimit në kuadër të programit për përballimin e pasojave të tërmetit.
Ministri Bledi Çuçi thotë se shifra e dëmeve përllogaritet në 985 milionë euro, nga të cilat 663 milionë euro dëme vetëm në ndërtesa. Qeveria ka parashikuar rreth 11 milionë euro në buxhetin e 2020 për rindërtimin dhe parashikon që 7 milionë euro të tjera të sigurohen nga donacionet. Shifra mund të ndryshojë pas konferencës së donatorëve të 17 shkurtit që zhvillohet në Bruksel.
Pavarësisht shumës që do të sigurohet nga kjo konferencë, askush nuk e mendon se këto donacione do të arrijnë të plotësojnë shifrën e dëmeve të përllogaritur nga Qeveria. Për këtë arsye, Qeveria pritet që të shtrijë dorën në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë tha se raporti me dëmet e financiare të tërmetit do t’u dorëzohet vendeve të Bashkimit Europian për t’u njohur me faturën, që vetë kreu i misionit të BE-së në Shqipëri e pranoi se është e kripur.
“Nevojat janë mjaft të mëdha, deri në shifrën 1 miliard euro. Konferenca e donatorëve do të bëjë bashkë përfaqësues nga më shumë se 100 vende”, tha ai.
Ndërkohë, koordinatori i OKB-së në Shqipëri, Brian J.Williams thotë se tragjedia e 26 nëntorit dhe pasojat që ajo la pas është një mësim për autoritetet shqiptare që të jenë të përgatitura përballë fatkeqësive natyrore.
“Është e rëndësishme që të ndërtohet më mirë, të shikohet se cilat janë objektivat që kur të bëhet rindërtimi të jetë mobilizimi i duhur. Ulja e rrezikut nga fatkeqësitë kërkon që të gjitha agjencitë të bashkëpunojnë të jenë të përgatitur”, tha ai.
Ditën e martë janë publikuar në Fletoren Zyrtare hartat me zonat e reja ku do të ndërtohet për të vendosur banorët që kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Zonat janë përcaktuar në Tiranë, Durrës, Kavajë, Fushë-Krujë dhe Laç. Sipas VKM-së së Qeverisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është njësia zbatuese për ndërtimin e banesave të reja dhe infrastrukturës përkatëse në këto zona, me përjashtim të Tiranës, ku zbatimi do të kryhet nga Bashkia.
Në Tiranë zonat e reja ku do të ndërtohet janë 9, në Durrës është një zonë, më pas në Bubq, Kavajë, Laç dhe Vorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



















Lini një Përgjigje