Sabina Veizaj – Implementimi i sistemit të ri të fiskalizimit nuk kushton realisht 1300 euro nga sa është deklaruar nga tregtarët e kasave fiskale.
Prandaj biznesi nuk duhet të bjerë pre e blerjeve të paisjeve dhe programeve të cilët mund të jenë lehtësisht të zëvendësueshëm me të ngjashëm pa kosto.
Të paktën i këtij mendimi është ekonomisti dhe programuesi Armando Vrushi, i cili në një bisedë me Gazetën “Si” shpjegon atë çfarë nuk është thënë deri më tani në lidhje me kostot reale që bizneseve do t’u kushtojë ndryshimi i sistemit të deklarimit dhe kriteret e licencimit të kompanive për prodhimin e softuerëve, nga të cilat do të varet çmimi në treg që do të paguajnë bizneset.
Çfarë i duhet një biznesi për të implementuar sistemin e ri të fiskalizimit?
Për Vrushin, një biznesi që të zëvendësojë sistemin e vjetër me atë të ri të raportimit të transaksioneve në qendrën e tatimeve i duhet një softuer, një kompjuter çfarëdo për të vendosur këtë softuer, apo një tabletë të thjeshtë a telefon celular jo shumë të komplikuar që të instalojë softuerin dhe një printer termal sepse ka shpejtësinë e nevojshme për këtë proces.
Sipas Vrushit prodhimi i një softueri nuk kërkon më shumë se 20 orë punë dhe jo më shumë se 1000 euro.
Ai thotë se ka prodhuar një të tillë dhe do të ishte i gatshëm t’ua falte bizneseve.
Pra, llogaritur edhe fitimin disafish, një softuer në treg mund të shitet maksimalisht 30 euro.
Një printer termal maksimalisht shitet 100 euro, por me rritjen e kërkesës, do t’i bjerë çmimi.
Përsa i përket sistemit operativ Windows, ai sipas Vrushit është i zëvendësueshëm me sistemin e ngjashëm Linux dhe ky i fundit është i hapur pa pagesë dhe nuk ka nevojë për antivirus.
“Kasat aktuale brenda vetes kanë një mikronjësi kompjuterike e cila është një softëer. Kur ti regjistron artikujt, ajo zgjedh nga lista e artikujve brenda që ti do. I shton dhe sasinë dhe e fut tek lista. E përsërit për gjithë produktet. E mbyll si faturë. E regjistron brenda sistemit të vetë, që është memorie fiskale. Sistemi i ri nuk të detyron të kesh kasën fizike. Ajo është një harduer dhe zëvendësohet me softuerin, i cili mund të jetë në të njëjtin kompjuter që e përdor edhe për administrim të brendshëm të biznesit, ose sipas preferencës së biznesit mund të jetë në një paisje tjetër; tabletë, celular a një paisje enkas për softuerin.”- shpjegon eksperti Vrushi për gazetën “Si”.
Sipas tij, nuk instalimin mund të bëjë kushdo sepse procedura është e dhënë dhe e deklaruar nga tatimet, kurse për vënien në përdorim dhe mënyrën se si funksionon, nuk kërkon më shumë se 30 minuta kohë për t’u mësuar.
Kostoja 1300 euro për Vrushin është llogaritur nga tregtarët e kasave sepse sipas tij, ata duan që të shesin ende kasa në treg edhe pse ato dalin jashtë përdorimit me ligjin e ri.
Ka një problem, sqaron Vrushi, lidhja e softuerit të administrimit të brendshëm me atë që do të transferojë informacionet tek tatimet.
Kasat aktuale sipas tij e lejojnë një gjë të tillë, por me implementimin e sistemit të ri, prodhuesit e softeve nëse duan të shfrytëzojnë sistuatën, mund të mos i lënë të hapur softet që të komunikojnë me softete e administrimit të brendshëm të biznesit e si rrjedhojë mund të kërkojnë që të prodhojnë edhe atë lloj softi duke rritur koston për biznesin.
Pra sipas llogarive, sistemi i ri i fiskalizimit i kushton një biznesi:
Një kompjuter i përdorur (shumica e bizneseve e kanë)- 50 euro
Softueri- 30 euro
Printeri termal 100 euro
Mirëmbajtja në vit 50 euro
Firma dixhitale 60 euro
Në total 290 euro
Si ndikojnë kriteret e licencimit të kompanive të prodhimit të softeve tek çmimi final?
Qeveria ka nxjerrë një vendim mbi kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes softuerike për procedurën e faturimit dhe fiskalizimit dhe kriteret për regjistrimin e prodhuesëve dhe mirëmbajtësve të programeve softuer.
Për ekspertin Armando Vrushin kriteret e përcaktuara nga qeveria kanë trajtën e kritereve për zhvillimin e një tenderi. Ato për të janë thjesht dhe vetëm ekonomike, jo profesionale.
Referuar VKM-së në fjalë, kriteret për marrjen e licensës për të hedhur në treg një softuer për sistemin e ri të fiskalizimit duhet:
a) Minimumi 10 (dhjetë) punonjës të punësuar nga aplikanti për të paktën 6 muaj para paraqitjes së aplikimit të regjistrimit në Regjistër, me kualifikimet e mëposhtme:
i. të paktën 1 (një) punonjës të certifikuar për zhvillim dhe mirëmbajtje serveri,
ii. të paktën 1 (një) punonjës të certifikuar për zhvillim dhe mirëmbajtje netëork-u
iii. të paktën 1 (një) punonjës të certifikuar për zhvillim dhe mirëmbajtje aplikacioni Web/mobile
iv. të paktën 2 (dy) punonjës me njohuri për të ofruar mbështetje për klientët,
b) Shoqëria duhet të jetë aktive të paktën 1 (një) vit para paraqitjes së aplikimit të regjistrimit në Regjistër, dhe të dorëzojë dokumentacion ku vërteton se ka kryer zhvillime softuerike apo aplikacione të ngjashme me objektin e këtij Vendimi.
c) Të ketë realizuar mesatarisht jo më pak se 30.000.000 (tridhjetë milion) lekë qarkullim ne 3 vitet e fundit.
d) kompania ka në fushë veprimi veprimtarinë e zhvillimit, mirembajtjes, shitjes së zgjidhjeve softuerike dhe harduerike për teknologjinë e informacionit dhe telekomunikacionit.
“VKM-ja do licensojë ata që do të prodhojnë softuer dhe ka përcaktuar disa kritere. Sa më të gjera të jenë kriteret, aq më konkurrencë do të ketë, aq më shumë do të prodhohet dhe aq më të ulta do të jenë kostot. Por kjo VKM e shtrëngon shumë pjesëmarrjen në treg për këtë produkt, nuk lë më një treg të hapur. Kriteret e vendosura nuk kanë të bëjnë me qëllimin pse është bërë VKM-ja, nuk ka vendosur kritere profesionalizmi dhe cilësie”- shpjegon Vrushi.
Këto kërkesa vijnë nga AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), thotë ai, dhe AKSHI në ekzistencën e vet ka propaganduar nxitjen e inovacionit, start-up-it, etj, por me këto kritere ekonomike pengon çdo profesionist të lirë, çdo start-up dhe çdo person të zotë që nuk ka para.
“Ne po hyjmë me një produkt të bërë, fakti që ne e kemi bërë tregon që kemi kapacitete. Se sa vlen, testoje. Kriteri i testimit përfundon sipas VKM-së tek dërgimi i mesazheve në kohën e duhur tek qendra e tatimeve nga softi i biznesit. Por nuk përfundon me kaq procesi. VKM nuk përcakton si kriter testimi, kapaciteti i përballimit të fluksit.”- shpjegon eksperti Vrushi.
Ai hamendëson se këto kritere favorizojnë oligopolin për këtë produkt dhe rrjedhimisht, pasojat do ti bartin bizneset që do ta blejnë softuerin me një çmim të lartë.
Megjithatë, për Vrushin sistemi i ri i fiskalzimit është pozitiv si koncept ngaqë satandardizon formatin dixhital të faturës dhe lehtëson në të ardhmen ndërveprimin e bizneseve me njëri-tjetrin.
Por sipas tij në asnjë moment nuk shërben për të ulur evazionin.
“Po të shohim se si bëhet evazioni fiskal, as me këtë sistem nuk ndryshon gjë. Sot me ligj çdo shitës është i detyruar të bëjë një faturë ose faturë shoqëruese të mallit nga blloqe tatimore, që janë regjistruar tek tatimet. Kur vjen kontrolli shikohet nëse është proceduar sipas rregullit apo jo. Në momentin që transportohet malli nga shitësi tek blerësi, duhet të ketë faturën shoqëruese të mallit ose faturën tatimore. Që ta kapësh në shkelje, është momenti i transportit në rrugë, teksa ka marrë 5 fuçi me birra, në faturë ka shkruar 3. Ndryshimi që bën ligji, me sistemin i ri , nuk do ti kërkosh faturën, këtë gjë e ke në sistem. E ka në tabletë inspektori. Nuk ndryshon asgjë.”- sqaron Vrushi.
Parlamenti miratoi dje paketën fiskale 2020 e cila përfshen dhe sistemin e ri të fiskalizimit që do të detyrojë biznesin të raportojë në kohë reale çdo transaksion të kryer.
Sipas Ministrisë së Financave koha e përshtatjes do të zgjasë një vit dhe sistemi i ri do të implementohet faktikisht në janar 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




