Biznes

Bie numri i ndërmarrjeve të huaja në Shqipëri

Instat ka raportuar se në vitin 2018 numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta ka rënë i shoqëruar me rënien e punësimit ndër to, rënien e shitjeve neto dhe investimeve.

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka hartuar një publikim të veçantë për treguesit kryesorë të ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkëta që operojnë në Shqipëri, duke përfshirë të dhënat për vitet 2016-2018.

Në vitin 2018, numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta u ul me 0,6 %, krahasuar me vitin 2017. Peshën më të madhe të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta e zënë Italia dhe Greqia me 52,8 % të ndërmarrjeve; 60,6 % të punësimit; 52,3 % të eksporteve dhe 53,2 % të importeve.

Ndërmarrjet me pronësi 100 % të huaj përfaqësojnë 65,6 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej, ndërsa ndërmarrjet e përbashkëta me mbizotërim të huaj përfaqësojnë 13,7 % të tyre.

Në vitin 2018, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Europian zënë 2,5 % të ndërrmarjeve aktive gjithsej në Shqipëri dhe 64,8 % të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta.

Ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 10,3 % dhe ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e tjera zënë 24,9 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta.

Treguesit kryesorë ekonomikë të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta

Në vitin 2018, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 15,6 % të punësimit gjithsej nga 18,7 % në vitin 2017. Shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta përbëjnë 25,8 % të shitjeve neto të ndërmarrjeve gjithsej në vitin 2018, ndërsa një vit më parë ky tregues ishte 30,3 %.

Investimet e realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta zënë 25,0 % të investimeve gjithsej nga 30,4 % që ishin një vit më parë.

Tregtia e Mallrave sipas Ndërmarrjeve

Ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta në vitin 2018, përbëjnë 50,9 % të eksporteve, të cilat në vitin 2017 ishin 49,2 %; për vlerën e importeve pjesa që kanë zënë në vitin 2018 është 27,5 %, ndërsa në 2017 ishte 28,8 %.

Investimet e Huaja Direkte (IHD)

Në vitin 2018 stoku i IHD është rritur me 17,8 %, krahasuar me vitin 2017. Në fund të vitit 2018, vendet e BE-së përbënin pjesën më të madhe të Stokut (54,7 %), të dominuara nga Greqia me 15,1 % dhe Hollanda me 13,2 %.

Në vitin 2018 fluksi i IHD është rritur me 13,3 %, krahasuar me vitin 2017, ku SHBA ka patur rritjen më të madhe me gati 4 herë, ndërsa Gjermania rënien më të madhe me 1 herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë