Një pjesë e komunitetit të gazetarëve, aktivistëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile kërkuan nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj ndërmarrjen e protestave kundër paketës antishpifje, që mazhoranca synon të kalojë në Parlament brenda kësaj jave.
Kërkesa u shpalos gjatë tryezës së organizuar nga PD dhe opozita e bashkuar këtë të hënë kundër paketës antishpifje. Të pranishmit e cilësuan alarmante situatën dhe shtrinë dorën për ndihmë edhe tek qytetarët.
Ergys Mërtiri – Jemi në situatën a do të mbrojmë demokracinë, apo do të kthehemi në diktaturë? Kjo duhet ngritur me shumë peshë. Edi Rama mund të kalojë çdolloj ligji.
Erion Kristo – Erdha me kënaqësi në këtë tryezë, sepse ky është tërmet më i rëndë me pasoja shumë afatgjata. T’i prishim festën e marrjes së flamurit, siç di ai si i gjatë që është, kur të marrë Presidencën e OSBE-së.
Enton Abilekaj – Pas këtij ligji nuk do të kenë ku të flasin. Duhet të vemë përpara përgjegjësisë Qeverinë. Mbështetja duhet të jetë nga të gjithë njerëzit. Opozita, nëse nuk ka media të lirë nuk mund të jetë e lirë të shprehë shqetësimet e veta.
Aranita Brahaj – Për fat të keq ky ligj do të kalojë. Nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese që ta gjykojë. Ky ligj është censurim ndaj fjalës së lirë dhe jo vetëm shpifjes. Ju bëj thirrje që të paktën në mediat e tyre sociale banerat kundër paketës së z.Rama të jenë prezente.
Agron Gjekmarkaj – Derisa të zhbëhet ky ligj ne do të jetojmë në një demokraci të kufizuar. Opozita duhet të reagojë me protesta, si në çështjen e lirisë së votës. Këtë duhet ta bëjë shoqëria dhe jo vetëm 2-3 mijë gazetarë. Nëse shoqëria nuk përgjigjet, nuk është faji i opozitës, por i shoqërisë e cila do të durojë edhe probleme të tjera përveç censurës dhe lirisë së informimit të drejtë.
Lutfi Dervishi – Nuk mundet që kjo kokëfortësi me ligjin e ri të shkojë deri në fund. Ekziston ligji për të drejtën e informimit, por nëse sheh perfomancën e këtij ligji është duke u tretur. Nuk ka më gazetarë dhe lideret e institucioneve bëhen media. Në rastin e tërmetit, nëse gazetarët e terrenit nuk do të ishin, autoritetet do të ishin në panik dhe “fake neës” do të mbizotëronte.
Aleksandër Çipa – Ky ligj është një kërcënim për fjalën e lirë. Vijmë këtu në këtë takim, sepse e konsiderojmë një çështje shumë të rëndësishme për pluralizmin. Asnjëherë nuk ka pasur një adresim të tillë censurues siç po bën Qeveria. Ky draft mbart në vetvete probleme shumë serioze në institucionalizmin e censurës, siç është AMA, Bordi i AMA-s ka brendinë e një agjencie censure. Investoni që të zhbëhet ky draft.
Koloreto Cukali – Kjo është një e keqe shumë e madhe. Nuk besoj se ka një vend demokratik pa lirinë e shtypit, vetëm në Kinë më shkon mendja. Ky ligj është rimishëruar tre herë. Është ulur steka e standardit të medias. Gazetarët nuk lejohen në konferencat e kryetarit të Qeverisë, ku gazetarët e marrin vetëm pamjet live. Brenda janarit, Këshilli i Medias do të vijë me një alternativë të re për vetërregullimin, për të thënë se nuk jemi vetëm kundër këtij ligji, por kemi alternativë për ta rregulluar.
Armand Shkullaku – Ligji është diçka shumë e rëndë. Nuk jemi për t’i bërë gjyqin një personazhi si Edi Rama që tani prodhon filma siç e kishte bërë sot. Premtimi i anulimit të ligjit duhet të kthehet në akt. Ky ligj special bëhet për të mbrojtur një grup njerëzish që skandalet si Unaza të mos dalin në sipërfaqe. Nëse nuk do të ekzistonin disa media që veprojnë si qeliza të lira, asgjë nuk do të mërrej vesh.
Në këtë takim, Lulzim Basha deklaroi se për opozitën ligji në fjalë do të jetë nul, por në rastin e parë që do të mbërrijë në pushtet do ta anulojë atë formalisht.
“Nëse çmenduria çohet deri në fund, opozita jo vetëm nuk do ta njohë, por do të bëjë çdo gjë që sa më shpejt të anulojë këtë legjislacion. Ligjet kundër fjalës së lirë janë antikushtetuese, forumi që po i kalon është ilegjitim. Për PD dhe opozitën e bashkuar këto akte janë nul dhe formalisht do të shfuqizohen në momentin e parë që shqiptarët do t’i besojnë opozitës qeverisjen e vendit. Kalimi i tij është shpallje lufte ndaj themeleve të demokracisë. PS të tërhiqet menjëherë nga ky plan, përkundrazi përgjigja politike e opozitës do të jetë proporcionale dhe masive. Mediat të na ndihmojnë dhe të qëndrojnë në krahun tonë dhe ne do të jemi në krahun tuaj. Ne nuk do ta bëjmë për ju dhe ju mos e bëni për ne. Kjo betejë do të fitohet, nëse opozita dhe mediat e humbasin këtë betejë, humbet Shqipëria”, tha ai.
Kreu i PD e vlerësoi si ironike faktin që e gjithë nisma ndërmerret në një kohë që Shqipëria pret të marrë Presidencën e OSBE-së.
“(Shqipëria) e nis kryesimin e kësaj organizate me një paralajmërim për një sjellje rrugaçërore dhe kriminale në raport me një nga kollonat që kjo organizatë ekziston, lirinë e medias”, deklaroi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.