Politike

Rama: “Antishpifja”, i konsultuar me OSBE, nuk ka asnjë cen

Kryeministri Edi Rama i ndau në dy grupe qortuesit e paketës antishpifje që mazhoranca planifikon të votojë brenda kësaj jave.

Në grupin e parë ai përfshiu personat që, sipas tij, nuk e kanë lexuar projektligji, ndërsa në të dytin futi persona, që siç thotë Rama, duan të gëzojnë lirinë për t’u tallur e shantazhuar nëpër portale e rrjete sociale me opinionin publik.

“Ose s’e kanë lexuar projekt-ligjin, ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale dhe të tallen me të vërtetën e me opinionin publik, duke shkruar çfarë t’u teket, duke shpifur sa e si t’u teket, duke shantazhuar e duke i vënë gjoba kujt t’u teket!”, shkroi ai në Tëitter.

Rama thotë se projektligji është konsultuar me OSBE-në dhe këmbëngul se ai do të miratohet në seancë parlamentare. Sipas Kryeministrit, projekti nuk prek asnjë standard të lirisë së shprehjes.

“Projekt-ligji është konsultuar e përpunuar prej një viti, nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standardeve të lirisë për t’u shprehur, e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim, po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet. Sa për “ERTV” faleminderit për publicitetin dhe mos ma prekni ju lutem fjalën time të drejtëpërdrejtë, për të gjithë ata që hyjnë pa asnjë detyrim në faqen time të fejsbukut, ku po u pëlqeu rrinë po s’u pëlqeu ikin”, mbyll reagimin e tij kreu i Qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë