Lajme

Arka e shtetit më pak të ardhura nga taksa e burimeve natyrore

Që Shqipëria është e pasur me rezurse natyrore, e di edhe qytetari në zonën më të izoluar të vendit.

Sipas Bankës Botërore që mat pasurinë e kombeve, në 2018 shqiptarët rezultojnë me një pasuri natyrore rreth 13,375 dollarë për frymë, nivel më i lartë se një pjesë e mirë e vendeve të Ballkanit. Vendi rezulton me një pasuri natyrore për frymë më të madhe se fqinjët; grekët (12,546 USD) , italianët 8,619 USD, turqit (12,854USD), dhe gjermanët me 7071 USD.

Por të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave në lidhje me Taksat e Mjedisit në Shqipëri, tregojnë se shqiptarët kanë paguar më pak taksa për burimet natyrore që shfrytëzojnë gjatë 2016-ës në raport me vitin paraardhës. Të ardhurat nga taksat e burimeve natyrore janë ulur me 14,33 %.

Nga struktura e të ardhurave të taksave mjedisore për vitin 2016, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 51,36 %, të shoqëruar nga taksat e transportit 44,67 %, taksat e ndotjes me 3,93 % dhe taksat e burimeve natyrore me 0,03 %.

Në 2016, të ardhurat nga taksat mjedisore arritën në vlerën e rreth 48 miliardë lekë, duke pësuar rritje me 8,64 % krahasuar me vitin 2015, ndikuar kjo kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat e transportit.

Në vitin 2016, krahasuar më një vit më parë, të ardhurat nga taksat e transportit janë rritur me 10,84 %, të ardhurat nga taksat e energjisë dhe taksat e ndotjes janë rritur me 7,05 % dhe 5,49 %. Në 2016, pesha e të ardhurave nga taksat mjedisore ndaj PBB është 3,24 %, duke pësuar një rritje me 0,17 %, krahasuar me 2015.

Të ardhurat nga taksat mjedisore, në vitin 2016, përbëjnë 12,92 % të totalit të të ardhurave tatimore dhe kontributeve shoqërore duke pësuar një rritje me 0,07 % krahasuar me 2015-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë