Koncepti autonomi, përpos universiteteve do të hyjë edhe në shërbimet spitalore. Qeveria ka përgatitur një draft ligj të cilin e ka hedhur për diskutim.
Qeveria nuk e sqaron në detaje qëllimin e këtij projektligji, pasi draftit nuk i është bashkëngjitur edhe relacioni shpjegues siç ndodh zakonisht.
Kurse në dokumentin e projektligjit citohet se qëllimi është të garantojë respektimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë në ofrimin e shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë.
Ai përcakton mënyrën e organizimit, funksionimit, financimit dhe kontrollit të shërbimit spitalor, duke garantuar akses të barabartë dhe shërbime cilësore për qytetarët.
Neni tetë që tregon organizimin sipas tipit të spitaleve, i ndan ata në spitale autonome dhe në spitale të tipit II të cilat janë financuara nga buxheti i shtetit dhe njësitë e qeverisjes vendore dhe janë në vartësi administrative të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
Spitali publik autonom përfiton këtë status të dhënë nga ministri përgjegjës për shëndetësinë. Procedura dhe kriteret e përfitimit të statusit të spitalit autonom bëhet me vendim të këshillit të ministrave.
Autonomia spitalore ështe e plotë ose e pjesshme.
Autonomia e plotë përfshin: Autonomi në financim (financim nga burime të ligjshme jo buxhetore)
Autonomi në menaxhimin e burimeve njerëzore (rekrutimi totalisht nga vetë spitali sipas rregullave të përcaktuara nga vetë ai).
Autonomi në kryerjen e investimeve sipas nevojave të spitalit.
Autonomia e pjesshme është kur spitali përfiton vetëm një ose disa nga komponentët e autonomisë së plotë të parashikuara.
Veprimtaria e spitalit publik autonom qoftë kjo e plotë ose e pjesshme mbikëqyret nga ministri përgjegjës për shëndetësinë sipas legjislacionit në fuqi.
Të gjitha burimet financiare që sigurojnë dhe përdorin spitalin publik autonom, konsiderohen fonde publike dhe si të tilla u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar të fondeve publike, rregullave të kontabilitetit publik dhe raportimit financiar dhe janë të kontrollueshme nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.
Burimet financiare të spitalit të nivelit të dytë arkëtohen dhe regjistrohen në llogaritë bankare të Bankave të nivelit të dytë.
Mënyra e financimit të spitaleve publike është një tjetër risi e këtij drafti.
Teksa me ligjin aktual janë katër mënyra financimi: Ministria e Shëndetësisë, institucionet e sigurimeve shoqërore, pushteti vendor apo donatoret vendas dhe të huaj, në projektligjin e ri spitalet publike në vartësi të tipit të tyre financohen nga të mësipërmet duke sjellë risi financimi edhe të ardhurat e siguruara nga vetë spitali.
Spitali i tipit II është Spitali Rajonal ose Bashkiak i cili financohet nga buxheti i shtetit, fondi i sigurimit të detyrueshëm dhe burime të tjera të ligjshme. Mënyra e organizimit të tij përcaktohet nga ministri përgjgjës për shëndetësinë.
Draftligji parashikon si pjesë të shërbimit spitalor dhe spitalet jopublikë (privatë).
Neni 21 i draftligjit detyron që spitalet publike të bashkëpunojnë sipas legjislacionit në fuqi me spitalet jopublike për ofrimin e ndërsjelltë të shërbimeve spitalore.
Spitalet publike lidhin kontrata shërbimi me spitalet jopublike dhe anasjelltar sipas fushave dhe afateve kohore të përcaktuara me Urdhër të Ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Në nenin 23 të projektligjit që ka të bëjë me financimin publik të spitaleve jopublike thuhet se “spitalet jopublike përfitojnë fonde publike nëpërmjet financimit të paketave të shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Spitalet jopublike përfitojnë fonde publike nëpërmjet partneritetit publik privat sipas legjislacionit në fuqi”.
I pyetur nga Gazeta “Si”, ish-Ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu e cilëson këtë projektligj si ligj bolshevik që synon centralizimin dhe fuqizimin e oligarkëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




