Për herë të parë Shqipëria merr Kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim ne Europë. Në Bratisllavë prej dy ditësh po zhvillohet mbledhja e ministerialit të OSBE-së
“Sot në Ministerialin e OSBE-së në Bratisllavë, Shqipëria zyrtarisht merr Kryesinë”, tha ministri në detyrë. "Pas një lobimi të fuqishëm dhe pas një pune kapitale përgatitore nga diplomacia shqiptare, një punë e përkrahur edhe nga aktorë të rëndësishëm evropianë, si në rrafshin politik e programatik ashtu dhe në rrafshin organizativ e logjistik, Shqipëria sot është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive”, thekson Cakaj.
Edhe vetë kryeministri Edi Rama paralajmëroi më herët për pjesëmarrjen në mbledhjen që po zhvillohet në Bratislavë, duke hedhur dhe si batuta se iu është ngarkuar edhe një detyrë tjetër si “barrë”. “Unë dua të iki pas pak, Shqipëria merr presidencën e OSBE dhe do të kem një ngarkesë plus për të drejtuar OSBE dhe duhet të shkoj sot në Bratislavë për të marrë detyrën. Dhe direkt nesër do të shkoj në Stamboll në takimin që ka organizuar Presidenti me investitorë dhe biznesmenë. Besoj se do të kthehem me çadra me vete. Por duhet menaxhuar sa më mirë kjo logjistikë. Ka vlerë të madhe për të qenë pjesë e gjithë logjistikës sonë në vijim" tha Rama në mbledhjen e qeverisë. Pas mbledhjes së qeverisë, Rama është shfaqur në zyrën e tij të drejtuesit të OSBE-së, së bashku me përfaqësuesin e Shqipërisë në këtë organizëm, Igli Hasani dhe këshilltarin kryesor të tij, Endri Fugën.
“Nder dhe përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, si edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkëlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE”, shkruan Rama në një nga postimet në rrjetet sociale. Në një video të postuar, kryeministri është shfaqur në momentet e diskutimit paraprak në lidhje me fjalimin që do të mbajë përpara përfaqësuesve të OSBE-së, si dhe për detajet që lidhen me eventin që parashikon dhe një konferencë për shtyp të Ramës, ministrit Lajçak dhe sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së. Në këtë video Rama shfaqet këmbë për këmbë mbi tavolinë gjatë diskutimit për përmbajtjen e fjalimit final, ndërsa bisedon dhe për detajet e tjera të organizmit.
Fjalimi, Rama: Kjo është historike, unw dikur pionier, sot drejtoj OSBE
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është një moment historik dhe inspirim për Shqipërinë. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare renditi disa nga vlerat e Shqipërisë, ndërsa shpalosi objektivat.
“Ne kemi marrë vendim për sa i përket të ardhmes së vendit tonë sesi e shohim të ardhmen në vitet e ardhshme, shpresoj te iniciativa jonë me partnerët për të vijuar bashkëpunimin. Ka shumë vendime kyçe me të cilat ne nuk kemi marrëveshje të qëndrueshme. Ka në fakt shumë çështje që kanë të bëjnë jo vetëm me termat e politikës, por edhe sigurisë. Shohim edhe në këtë tryezë ka qasje të ndryshme. Do të bëjmë të pamundurën për të parë përpara. Ky është një moment historik dhe inspirim për vendin tonë. Kjo lidhet me marrëdhëniet e mira me anëtarët dhe mikpritje që karakterizon Shqipërinë. Edhe një tjetër element i rëndësishëm i Shqipërisë është harmonia fetare. Marrja e Presidencës, është një hap i jashtëzakonshëm”, tha më tej Rama.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama kujtoi se: “kur OSBE u themelua, pikërisht 45 vjet më parë, Shqipëria ishte vendi i vetëm që përmes zërit të diktatorit të saj komunist refuzoi të ishte pjesë e saj”.
“Shpresa e vetme e satelitëve të Bashkimit Sovjetik është të forcojnë lidhjet me SHBA dhe Perëndimin, në formën e kredive pa asnjë kufizim, për të lejuar kishën që të zërë vendin e dikurshëm, për të thelluar degjenerimin e mëtejshëm moral, etj”, deklaronte atëherë zyrtarisht Shqipëria. Ndërsa sot, vendi, “një anëtar krenar i OSBE” sipas Ramës, merr drejtimin e kësaj organizate presitigjioze, një prej detyrave thelbësore të të cilës është monitorimi dhe garantimi i standardeve demokratike të zgjedhjeve anembanë botës. 45 vjet më parë, unë isha ashtu si të gjithë të tjerët, me detyrim një pionier 11-vjeçar i Shqipërisë komuniste. Sot, jam Kryeministri 55-vjeçar, i Shqipërisë së re dhe moderne”, theksoi në fjalën e tij Rama, ndërsa veçoi disa nga objektivat e Shqipërisë në kryesimin e OSBE.
Sipas tij, kalimi i presidencës së OSBE tek Shqipëria provon se në sytë e ndërkombëtarëve, për herë të parë vendi ynë gëzon pjekurinë dhe ekspertizën e nevojshme për të thënë fjalën e saj në çështjet e sigurisë dhe demokracisë në Europë.
"Presidenca" e OSBE
Duke filluar nga data 1 Janari 2020, Shqipëria merr Kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim ne Evropë; OSBE-së, përgjatë një viti kalendarik deri me datën 31 Dhjetor 2020. Si rrjedhojë ajo do të jetë pjesë e Trojkës së Kryesive së Organizatës së bashku me Italinë dhe Sllovakinë, kur respektivisht në vitet 2018 dhe 2019, ishin Kryesuese të Organizatës. Nga data 1 Janar 2020, Shqipëria do të jetë në vëmendje jo vetëm të 56 vendeve të tjera pjesëmarrëse, por edhe vendeve partnere Mesdhetare dhe vendeve Aziatike, duke i dhënë kështu jo vetëm një rol me te gjerë diplomatik, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë e madhe të drejtimit të një prej Organizatave më të mëdha të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, gjatë kësaj presidence do të theksohet angazhimi i Shqipërisë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në atë të OSBE-së në tërësi, përbën një garanci të mirë për një Kryesi sa më të suksesshme.
“Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë angazhimin e OSBE-së për zgjidhjen e konflikteve, duke mbështetur përpjekjet e bashkëkryetarëve të Grupit të Minskut të OSBE-së në kontekstin e konfliktit të Nagorno-Karabak-ut, në përputhje me Diskutimet Ndërkombëtare të Gjenevës. Gjithashtu, vëmendje të veçantë do t`i kushtohet mos-përshkallëzimit te situatës në Gjeorgji, si dhe procesit për zgjidhjen e konfliktit të Transnistrisë Nga ana tjetër vendi ynë do të angazhohet për të promovuar mirëqeverisjen dhe parimet e antikorrupsionit në gjithë hapësirën që mbulon Organizata”, thuhet ndër objektivat e publikuara nga ministria e Jashtme.
Shqipëria njëkohësisht do të adresojë sipas MEPJ-së, përpjekjet e përbashkëta për të gjitha vendet pjesëmarrëse të kësaj organizate, në shërbim të parandalimit të trafikimit të qenieve njerëzore, po ashtu edhe të luftimit të kulturës së pandëshkueshmërisë në përgjithësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.