Para

Biznesi s’ka likuiditete, ngadalësohet kredia për investime

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për biznese ka regjistruar ritme më të larta të rritjes së kredisë për likuiditete, në mesatarisht 11.2%, ndërsa ato për investime kanë shfaqur lehtas një ngadalësim, në 5.5% në tremujorin e tretë të vitit.

Në veçanti, thotë BSH, gjatë dy muajve të verës është vënë re përdorimi i lartë i kreditimit për mbulimin e nevojave për likuiditet, duke reflektuar si aktivitetin e shtuar turistik, ashtu edhe kërkesën nga sektori energjetik. Krahas këtyre dy faktorëve, thotë BSH, rritja e madhe ndikohet nga fakti se krahasuar me një vit më parë, kredia për likuiditet shënoi rënien më të madhe.

Kredia e bizneseve për investime shfaqet e luhatshme, e ndikuar edhe nga mungesa e një kërkese të qëndrueshme në kohë për këtë qëllim.

Sipas disa bizneseve, kryesisht atyre eksportuese, frenimi i investimeve ka ardhur si pasojë e mosrimbursimit të TVSH-së dhe zhvlerësimit të monedhës euro.

Shtoji këtyre faktorëve sipas tyre edhe situatën konfliktuale dhe të paqëndrueshme politike që nuk të transmeton optimizëm për të ardhmen, por veç frikë e pasiguri.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë shprehet optimiste për rritjen e kreditimit të sektorit privat duke cituar se “Kreditimi i sektorit privat ka vijuar të përmirësohet në tremujorin e tretë të vitit, duke shënuar një rritje vjetore prej 7.5%. Në raport me PBB-në, zgjerimi i tij ka qenë edhe më i dukshëm në 36.4% ose 1.1 pikë përqindje më i lartë se fundi i vitit 2018. “

Raporti i kredisë me probleme ndaj totalit është shfaqur në vazhdimësi në rënie.
Sipas Bankës Qendrore, kreditimi sipas monedhave ka konfirmuar rigjallërimin e financimit në monedhën vendase, e cila në tremujorin e tretë shënoi një rritje vjetore mesatare prej 9.1%.

Gjatë kësaj periudhe, kredia në lekë u zgjerua me 9.4 miliardë lekë, ose rreth dyfishin e rritjes mesatare gjatë dy tremujorëve të parë. Në përmirësim është shfaqur edhe portofoli i kredisë në valutë, i cili u rrit mesatarisht me 6.4% vit mbi vit, ose 1 pikë përqindje më shumë se mesatarja e gjashtë muajve të parë.

Raporti i kredisë në lekë ndaj totalit u rrit në 47.8% në muajin shtator, ose 0.6 pikë përqindje më lart se në dhjetor 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë