Mendim

Tatimet, kur çmenduria shkatërron vendin

Nga Klodian Tomorri- Pas rrotës, shpikjen e dytë më të madhe të njerëzimit e ka bërë qeveria shqiptare. Një mendje brilante brenda saj, ka vendosur që shërbimi ndaj tatimpaguesve t’i hiqet Administratës Tatimore dhe të kalojë tek ADISA  (Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara)

Çmendurinë e kanë bërë me vendim qeverie. Kjo është njësoj sikur urgjencën mjekësore ta kalosh nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë, ngjitur me seksionin e domate-kastravecëve.

Në çdo vend të zhvilluar, por edhe në vendet ne zhvillim, kati i parë i selisë së administratës tatimore është shërbimi ndaj tatimpaguesit. Madje, Internal Revenue Service, administrata tatimore e Shteteve të Bashkuara Amerikane e ka misionin bazë të saj shërbimin ndaj tatimpaguesve. Nuk ka mbledhjen e të ardhurave, por t’ju shërbejë qytetareve dhe bizneseve amerikane.

Dhe kështu duhet të jetë. Qëllimi dhe misioni i një administrate fiskale nuk është të realizojë plane, por t’i shërbejë tatimpaguesve, pra qytetareve dhe biznesit që të jenë në rregull me ligjin. Ky është kontributi më i çmuar i një administrate sepse duke qenë në rregull tatimpaguesit me ligjin, financohen shërbimet publike dhe shoqëria bëhet më e drejtë.

Por një reformator brilant në qeveri ka vendosur që administrata fiskale nuk duhet t’u shërbejë qytetarëve, por shërbimi të merret në sportelet e Adisës, njësoj si radhët e qumështit qëmoti. Imagjinoni pak, një biznes i cili ka një pyetje për Tatimet, duhet të shkoje të zërë radhën në sportel dhe të pyes sportelisten e Adisës. Kjo e fundit do e përcjellë pyetjen tek Tatimet. Më pas Tatimet do t’i përgjigjen Adisës dhe pas gjithë kësaj çmendurie, qytetari mund të ketë shpresën të marre ndonjë përgjigje.

Ky është shkallmim i administratës tatimore në themel. Kjo është çmenduri që mund të bëhet vetëm në kushtet e injorancës së thellë fiskale. Cilido ekspert që ka njohuritë më minimale të sistemit dhe administratës fiskale nuk do e pranonte kurrë një gjë të tillë.

Kthejeni shërbimin ndaj tatimpaguesve tek Administrata Tatimore, mos bëni eksperimente injorance. Në vend që të rregullojnë gjërat e mbrapshta, shkojnë e prishin ato pak që janë në rregull. Çmenduri.

Ky shkrim është marrë nga postimi në facebookun i autorit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë