Një lajm i përhapur në se në ora 23:30 të ditës së diel do të binte një tërmet i fuqishëm ka përhapur me shpejtësi panikun e qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë dalë menjëherë në sheshe, në lulishtet e në ambiente të hapur për të qenë sa më të sigurt. Dhjetëra e qindra familje, së bashku me fëmijët e tyre qëndronin në ambiente të hapura, ose në makinat e tyre brenda në pritje të ndonjë "apokalipsi".
Lajmi bëri xhiron e rrjeteve sociale duke shkaktuar panik te qytetarët. Sipas këtij lajmi, në orën 23:30 pritet një tërmet i fortë prej 6 ballësh.
Pas këtij lajmi ka reaguar menjëherë ministria e Mbrojtjes, e cila cilësoi si të pavërteta këto informacione të publikuara në disa portale.
"Prej disa minutash qarkullon ne disa portale dhe rrjete sociale nje lajm i rreme mbi parashikimin e nje termeti me permasa, ne oren 23.30. I bejme thirrje te gjithe qytetareve, te mos bien pre e njoftimeve te tilla keqedashese dhe perhapese paniku pasi nuk ka asnje parashikim te tille shkencor nga asnje institucion shkencor" thotë Ministria e Mbrojtjes".
Ministria e Mbrojtjes shprehej se gjithçka po tentohet të bëhet per te perhapur panik mes qytetareve eshte kriminale "Të gjithe ata që kanë përhapur këtë lajm do të mbajnë përgjegjësi penale", theksonte ministria.
Ndërsa edhe kryeministri Edi Rama do të reagonte nëpërmjet rrjeteve sociale se ky ishte një fake news.
"Ky është një fakenews kriminal për të përhapur panik dhe çdo idiot që shkruan për parashikime tërmetesh thjesht duhet neveritur", shkruante Rama.
Por pavarësisht këtyre lajmërimeve, alarmi i rremë mori dhenë dhe deturoi të nxirrte jashtë mijëra qytetarë nëpër Tiranë, të cilët edhe pse nuk e besonin këtë "orakull" dilnin për t'u qetësuar, ose ngaqë kishin me vete fëmijë të vegjël apo pleqsh. Shume makina kane levizur dhe drejt autostrades dhe drejt Elbasanit.
Ministrja Xhaçka doli në një konferencë për shtyp nga kryeministri së bashku me specialistin sizmolog deklaroi se autori i lajmit të rremë se një tërmet i fortë do të bjerë në orën 23:30 do të dënohet me burg.
"Do bëjmë çmos që ata që e përhapën këtë lajm të mbajnë përgjegjësi dhe përgjegjësia është burg. Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur derisa të zbulojmë autorët”,u shpreh Xhaçka në mbrëmje vonë. Sizmiologu Llambro Duni i bëri thirrje të kthehen nëpër banesat e tyre. "Ftoj banorët e Tiranës që të ruajnë qetësinë dhe të kthehen në shtëpitë e tyre. Sepse lajmet që janë përhapur janë të pavërteta. Nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Por përsërisim që shkenca e sizmiologjisë nuk është në gjëndje të parashikojë se kur dhe ku do të ndodhin. Nuk ka vend për panik dhe për të menduar se do të ketë ngjarje të fuqishme. Ngjarja e fuqishme ishte ajo që ishte", theksoi Duni.
Sakaq policia e shtetit njoftoi se ka arrestuar dy gazetarët për hapjen e një lajmi të tillë që ka shkaktuar panik.
Policia e shtetit përmes një njoftimi për shtyp deklaron se ka shoqëruar gazetarin e portalit "SYRI.net", Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e "Shekullit".
"Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin "SYRI.net" dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit "SYRI.net", Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e "Shekullit", për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët”, thuhej në reagimin e policisë.
Në njoftimin e saj Policia e Shtetit informon se ka ngritur një grup të posaçëm hetimor "për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët." Policia e Shtetit i bën gjithashtu thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit. Gjithashtu kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët.
Për të qetësuar shqiptarët e tronditur u desht edhe një reagim i qendrës europiane e parashikimit të tërmetëve, se lëkundjet sizmike nuk parashikohen. Një natë e trazuar e shqiptarëve në kryeqytet dhe në qytetin e Durrësit që prisnin me ankth "apokalipsin" edhe pse gjatë orëve të natës pati lëkundje të vogla sizmike, që për ekspertët janë normale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.