Durrësi është qyteti më i prekur nga tërmeti dhe gjithë vëmendja e qeverisë po përqendrohet atje, ku janë ngritur shtabet si qeveritare, ashtu edhe ato të deputetëve. Banorët kanë përjetuar ankthe dhe panik, në këtë zonë kanë rënë mbi 20 tërmete, ku më i fundit ai orëve të vona ishte edhe më e frikshëm, duke i detyruar banorët që ta kalonin natën përjashta. I fundit ka tronditur Tiranën dhe Durrësin, ku është ndjerë dhe më shumë, në orën 9 të mëngjesit me magnitudë 3.5.
Kryeministri mblodhi shtabin në Durrës në Pallatin e Kulturës për të ndarë detyra mes deputetëve me shtabin, ndërsa vetë më pas preferoi që të shkonte të takonte banorët se strehuar në çadrën e ngritur brenda fushës së blertë të stadiumit “Niko Dovana” të qytetit bregdetar. Në takimet me njerëzit, kryeministri po mundohej se të bindte banorët e trembur që të mos flinin në çadrat ushtarake dhe se shumë mirë mund të kalonin natën në dy qendrave e pushimit në Durrës, që janë në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.
Vetë ministria e Mbrojtjes njoftoi se ka përfunduar montimi i çadrave brenda stadiumit, ku secila mban 30 persona.

“Lëkundjet si kam unë në dorë, por lëkundjet mbrapa janë normale sa të bëhet stabilizimi i pllakave sizmike. Tërmetet nuk i parashikon askush, as Amerika nuk e ka gjetur akoma”, do t’i drejtohej Rama një të moshuare. Ndërsa ajo do të shprehej “se kemi ardhur me vrap, u çliruam se nuk rrihej në shtëpi. Këtu e kemi kaluar natën mbrëmë. Shtëpinë e kemi afër në kat të 8, por kemi frikë. Sot shyqyr më mirë. Dëmtime në shtëpi nuk kemi, por u tromaksëm”.
“Mezi e zbrita nën nga kati i shtatë. Kisha shumë frikë”, iu drejtua një banor kryeministrit. Ndërsa një tjetër shprehej se si e kishte kaluar natën jashtë në qiell të hapur në Qendrën e Pritjes. “Ishim dy pleq, tërmeti ishte shumë i madh. Ne donim të dilnim, nuk dolëm dot, ngelëm brenda në ashensor, pastaj u hap dera, kur mbaroi tërmeti. Por, shyqyr shpëtuam. Sot kishim lëkundje përsëri, ndaj u detyruam të vinim këtu. Mbrëmë qëndrua te stadiumi, në të ftohtë, deri në 2 të natës. Sa vajtën në shtëpi ra tërmeti sërish, dolëm dhe erdhëm të stadiumi”, tha e moshuara.

Bashkia Durrës ka bërë të ditur se Shtabet e emergjencës ku mund të drejtohen qytetarët e prekur nga tërmeti janë: Kavalishenca e Rendit (Plepa Durrës); Kavalishenca e Ushtrise ( Plepa Durrës); Çadrat e ngritura tek Stadiumi Niko Dovana; Qendra ditore për fëmijë me aftësi të kufizuara pranee UKD Durrës; Qendra ditore multifunksionale Nishtulla; Qendra ditore e të moshuarve tek ISH URT, lagjia 17; dhe Qendra ditore e shtëpisë së Foshnjës tek lagjia nr.8.

Kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako ka deklaruar se janë 188 shtëpi të plasaritura që nuk cenojnë jetesën, dy shkolla “14 nëntori” dhe “Qemal Mici” janë dëmtime të jashtme që nuk cenojnë procesin shkollor, duke filluar që nesër nis mësimi. “Pallatet e plasaritura në qytetet, një në Sukth, momentalisht kemi 9. Një rast të identifikuar kur një qytetar të për adaptuar një disko ka prekur kolonën poshtë, por nuk është e rëndë. Realisht nuk kemi flukse, janë dy familje nga qyteti i Shijakut që janë akomoduar në qendrat e pushimit në Durrës”, theksoi Sako. Ndërkaq mësohet se ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion disa llogari bankare për të kontribuar nga qytetarët. “Në vijim të situatës së krijuar nga tërmeti i rënë në datën 21 shtator 2019, duke prekur disa qarqe të vendit, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur në dispozicion llogari bankare, për t’i ardhur në ndihmë të gjitha familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Kontributet vullnetare nga biznese, shoqata apo individë në ndihmë të banorëve të dëmtuar mund të derdhen në llogaritë e mëposhtme: Banka Credins IBAN në ALL (Lek): AL29 2121 1016 0000 0000 0030 0001; IBAN në EUR : AL72 2121 1016 0000 0000 0030 0003; IBAN në USD: AL02 2121 1016 0000 0000 0030 0002; Llogari bankare për t’i ardhur në ndihmë të gjitha familjeve të dëmtuara nga tërmeti ka edhe në të gjitha bankat e tjera të nivelit të dytë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.