Ekonomi

BSH: Ja pse u mbiçmua leku dhe u zhvlerësua euro

Për Bankën e Shqipërisë trendi mbiçmues i lekut kryesisht katër vitet e fundit ka qenë gjerësisht në linjë me zhvillimet makroekonomike. Ai është mbështetur nga rritja krahasimisht më e shpejtë e ekonomisë shqiptare kundrejt partnerëve europianë, nga përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë, dhe nga reduktimi i primit të rrezikut në tregjet e brendshme financiare.

Për të disatën herë rresht Banka e Shqipërisë zhvlerësimin e euros ia ka faturuar faktorëve të tregut, ndryshe ç’besojnë ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e biznesit të cilët po e pësojnë në kurrizin e tyre zhvlerësimin e euros.

Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare të tremujorit të tretë citon se, përtej trendit, ecuria e kursit shfaq dhe luhatje afatshkurtra, të cilat pasqyrojnë zhbalancime të përkohshme të kërkesës dhe të ofertës në tregun valutor, si ai i i gjysmës së parë të vitit 2018, ku rritja e përkohshme e ofertës solli pritje të njëanshme në tregun valutor dhe prodhoi, më tej, një çrregullim të funksionimit të tregut valutor dhe forcim të shpejtë të kursit të këmbimit.
Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë, siç e ka deklaruar edhe ajo vetë, rezultoi efektive në korrigjimin e sjelljes së tregut dhe ecuria e kursit iu afrua asaj historike. Mbiçmimi vjetor i lekut kundrejt euros erdhi në reduktim gjatë vitit 2019, duke arritur në 3.1% në periudhën maj-qershor, nga niveli maksimal prej 7.4% i shënuar në fund të vitit 2018.

Por tremujori i dytë i vitit 2019 vërejti sërish një forcim të lekut.

Sipas BSh-së, konkluzionet e analizave të saj sugjerojnë se: mbiçmimi i kursit të këmbimit në tremujorin e dytë është në linjë me sjelljen sezonale të tij; faktorët fondamentalë nuk mbështesin forcim të shpejtë e të mëtejshëm të kursit, në ndryshim nga situata e vitit të shkuar; dhe, tregu valutor vijon të funksionojë në mënyrë normale.

Sjellja sezonale

Në vitet e fundit, evidentohet një mbiçmim sezonal më i hershëm i lekut në muajt e verës. Kështu, forcimi karakteristik i lekut në sezonin e verës është zhvendosur pjesërisht nga muaji korrik në muajt qershor, maj, e deri-diku edhe në prill, çka përkon edhe me një fillim më të hershëm të sezonit turistik.

Mbiçmimi i kursit në këta dy muaj të tre viteve të fundit është më i lartë se mesatarja afatgjatë, por mbetet gjithsesi brenda intervalit +/- 2 devijime standarde rreth kësaj mesatareje. Në këtë kontekst, edhe forcimi i kursit gjatë tremujorit të dytë duket se përkon me një forcim sezonal më të hershëm të tij.

Ecuria e faktorëve thelbësorë

Zhvillimet e deritanishme në sektorin e jashtëm të ekonomisë sugjerojnë një moderim të mbiçmimit të kursit të këmbimit krahasuar me një vit më parë. Zgjerimi i deficitit të llogarisë korrente në tremujorin e parë të vitit u shoqërua me nënçmim të lekut gjatë kësaj periudhe dhe reduktim të ndjeshëm të forcimit vjetor të tij. Për tremujorin e dytë të vitit, të dhënat mbi shkëmbimet tregtare tregojnë për zgjerim të mëtejshëm të deficitit tregtar, në mungesë të eksporteve të larta të energjisë në vitin e kaluar. Nga ana tjetër, të dhënat për hyrje-dalje të individëve për tremujorin e dytëII sinjalizojnë për një ndikim të moderuar të turizmit në mbiçmimin e kursit të këmbimit.

Si funksionon tregu

Tregu valutor ka funksionuar brenda parametrave normalë. Si spread-et bid/ask, ashtu edhe luhatshmëria ditore e kursit, kanë qenë në nivele më të ulëta. Gjithashtu, treguesi i anshmërisë për mbiçmim/ nënçmim të kursit, i cili një vit më parë u rrit ndjeshëm, ka rënë gradualisht pranë nivelit optimal 1III. Këta tregues konfirmojnë se tregtimi i euros në treg ka reflektuar balancën e kërkesës dhe ofertës për euro, se niveli i pasigurisë së agjentëve të treg ka rënë, dhe se nuk ka pozicionime të njëanshme të tyre në kahun mbiçmues (apo nënçmues) të kursit.

Pritshmëritë

Banka e Shqipërisë pret që nisur nga këto premisa, mbiçmimi i kursit gjatë vitit 2019 të vijë duke u moderuar, me një efekt të reduktuar të këtij mbiçmimi në treguesit e tjerë makroekonomik.


Pak ditë më parë përfaqësi të biznesit të eksporteve dhe turizmit thanë për gazetën “Si” se zhvlerësimi i euros në këto nivele nuk mund të shpjegohet më me faktorë të tregut. Sipas tyre Banka e Shqipërisë duhet të analizojë arsyet e vërteta dhe të jetë transparente duke u përpjekur të gjejë edhe zgjidhjen e situatës nga e cila pritet që ekonomia në fund të 2019-ës të humbë 600 mld lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë