Politike

Modeli “Veliaj” i para 4 viteve frymëzon kryebashkiakët e rinj

Mentor Kasa - Një pjesë e mirë e kryebashkiakëve të rinj socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit duket se e kanë gjetur modelin që do të aplikojnë përgjatë qeverisjes së komuniteteve të tyre. Modeli është Erion Veliaj, ose të paktën kjo është ajo që kuptohet në ditët e para në detyrë të këtij grupi kryetarësh të rinj, po të krahasohen vendimet dhe veprimet e para të tyre me ato të “Lali” Erit në 2015, kur sapo mori drejtimin e Tiranës.

Më 3 gusht 2015, pak ditë pasi kishte hyrë në zyrë, Erion Veliaj mblidhte punonjësit e ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit, që në orën 7 të mëngjesit. Takimi ishte konceptuar si një “marsh luftarak”, ku beteja ishte me “zhulin”, siç e quante Veliaj në atë kohë.

“Standardi për Tiranën është të jetë qyteti më i pastër në Ballkan jo në Shqipëri. Tirana nuk mund të jetë kryeqytet i zhulit, shqiptarët nuk janë pisanjos. Ta fillojmë betejën që sot, në luftën tradicionale shkonin me tanke me blinda, ne do shkojmë me fshesa me bote me makina teknologjike. Në fillim të shtatorit të bëjmë aksion “Të pastrojmë Tiranën” në një ditë bashkë me qytetarët. Kemi kohë këtë muaj të bëjmë maksimumin tonë që qytetarët ta vënë re që rrugët po lahen, koshat po fshihen. Kemi 1 muaj për t’i bindur njerëzit që po bëjmë maksimumin tonë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të fitojmë këtë betejë, nuk shkohet në luftë nëse shkon gjysma e ushtrisë dhe gjysma tjetër jo”, deklaronte Veliaj në atë kohë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj takohet me punonjës të gjelbërim-pastrimit gjatë një inspektimi. Gazeta Si, 8 gusht 2019

Po në këtë aktivitet ai paralajmëroi kompanitë private të kontraktuara për pastrimin se nëse qytetarët nuk ishin të kënaqur me punën e tyre, Bashkia do t’u prishte kontratat. Ditët që pasuan Erion Veliaj shfaqej vetë duke inspektuar pastrimin, ose duke pastruar rrugët dhe sheshet e kryeqytetit. Aksioni do të kulmonte në fillim të shtatorit, ku një pjesë e qytetarëve iu përgjigjën thirrjes së tij për një aksion të përgjithshëm pastrimi.

Kështu e nisi Erion Veliaj detyrën e tij si kryebashkiak i Tiranës. Sot, katër vite më vonë, i njëjti model dhe e njëjta strategji po ndiqet të paktën nga kryebashkiakët e rinj socialistë të dalë në Berat, Elbasan, Shijak e Durrës.

Kryebashkiaku i ri i Beratit, Ervin Demo rezulton ndjekësi më besnik i modelit “Veliaj”, jo vetëm për nga përmbajtja, por edhe për nga mënyra e forma e zgjedhur në rrjetet sociale për të komunikuar me qytetarët.

“Papastërtia dhe sinjalistika rrugore ishin dy nga 1260 problemet që së bashku me ekipin tonë evidentuam dhe faktuam gjatë fushatës elektorale”, shkroi Demo në një postim në rrjetet sociale më 7 gusht.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2561303257260403&id=1768575363199867

Identifikimi i problematikave në fushatën elektorale nuk është një gjetje krejtësisht vetjake e tij. Në 2015, pak ditë para zgjedhjeve vendore të atij viti dhe kur përballë kishte gjinekologun Halim Kosova, Erion Veliaj identifikonte mbi 3 mijë problematika në kryeqytet, mes të cilave edhe papastërtinë dhe sinjalistikën rrugore. “Kjo tregon degradimin total ku ka përfunduar Tirana nën qeverisjen e Lulzim Bashës”, deklaronte Veliaj katër vite më parë.

Jo vetëm kaq! Modelin e kryebashkiakut të Tiranës, Demo e ndjek edhe në stil dhe mënyrë formulimi fjalish, të tipit “Janë punë të thjeshta, por që kërkojnë dedikim të vazhdueshëm dhe dashuri për qytetin”, apo risjellje të një prej sloganeve të Erion Veliajt, me ndryshimin që fjala “Tiranë” zëvendësohet me fjalën “Berat”.

“Së bashku do të ndërtojmë një qytet të pastër, të jetueshëm dhe të sigurtë. Çdo ditë nga një punë të vogël me dashuri të madhe për Beratin tonë”, shkruan kryebashkiaku i ri i Beratit.

Për ta përforcuar edhe më tej logjikën se Erion Veliaj është një shembull që duhet ndjekur për Ervin Demon shërbejnë edhe “emojit” e shpeshta të përdorura në çdo fjali, ashtu si stili i kryebashkiakut të Tiranës.

Me të njëjtën tematikë e ka nisur detyrën e saj edhe Valbona Sako, që pasoi Vangjush Dakon në krye të Bashkisë së Durrësit. Sako njofton përmes një postimi në rrjetet sociale ndarjen e territoreve për ndërmarrjet e pastrimit, duke përdorur një mori “emojish”, aq sa në pamje të parë të shpërqëndrojnë nga thelbi i postimit.

https://www.facebook.com/valbonasako.al/posts/2297092277075363

“Të mbash pastër është kulturë dhe shëndet”, kjo është nisma që kemi ndërmarrë me administratën tonë”, shkruan Sako ndër të tjera.

Gledjan Llatja i Elbasanit ndoqi shembullin “Veliaj” edhe në kohën e përzgjedhur për zhvillimin e një aktiviteti pastrimi në Kalanë e qytetit. Në 2015, Erion Veliaj thërriste mblidhte në sheshin Nënë Tereza” që në orën 7 të mëngjesit punonjës të ndërmarrjes së gjelbërimit. Llatja shkoi përtej këtij orari. Ai organizoi nismën “Për një qytet të pastër”, e cila filloi në orën 6 të mëngjesit të 7 gushtit.

https://www.facebook.com/llatja.gledian/posts/384801032239225

“Shumë faleminderit vullnetarëve dhe deputetëve, që sakrifikuan disa orë nga gjumi i mëngjesit dhe iu bashkuan nismës tonë për të pastruar qytetin. Të sillesh në mënyrë qytetare dhe të civilizuar është detyrim ndaj fëmijëve dhe familjeve tona për një qytet të pastër”, shkruan ai në postimin falenderues për pjesëmarrësit në këtë aktivitet. Edhe në këtë rast, postimi shoqërohet dendur me “emoji”, si stili i lali Erit.

Redjan Krali në Kavajë nuk është kujdesur fort që modelin Erion Veliaj të ndjekë edhe në formë, por në përmbajtje po.

https://www.facebook.com/llatja.gledian/posts/384801032239225

“Sot e nisëm javën me zëvendësimin e palmave të dëmtuara dhe pastrimin e palmave ekzistuese në shëtitoren "Josif Buda". Ky është vetem fillimi i shumë e shumë punëve të tjera që na presin e që ne zotohemi që do t'i kryejmë me përpikmëri e përkushtim pasi ne kemi lidhur një kontratë me qytetarët e Kavajës dhe do të jemi gjithmonë në shërbim të tyre dhe të qytetit. Punë intensive në pastrimin e vijës bregdetare, për t’u garantuar një mjedis sa më të pastër pushuesve vendas dhe të huaj. Aksioni do të vazhdojë deri në pastrimin 100 për qind të bregdetit të Kavajës”, zotohet ai.

Në rrjetet sociale të kryebashkiakut të ri të Cërrikut nuk gjendet asnjë postim mbi ndonjë aktivitet pastrimi në ditët e para të detyrës së tij. Aktiviteti i vetëm i postuar prej Andis Sallës është takimi me një përfaqësi të ambasadës kineze në Tiranë.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=476713396417544&id=452876405467910

Por, në një postim të mëhershëm, pas përfundimit të votimeve në këtë zonë, edhe Andis Salla ndjek modelin “Veliaj”, duke përdorur mes rreshtave “emoji” të ndryshme.

Elton Arbana në Shijak e nis me pastrimin gjithashtu, të një depoje uji që furnizonte disa fshatra të bashkisë.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1113546305517019&id=1085717774966539

“Kjo depo është ndërtuar në vitin 1970 dhe ka një kapacitet mbajtës prej 2000 m3. Sot kemi filluar punë për mirëmbajtjen e saj, duke u marrë me meremetime, bojatisje, pastrime. Hera e fundit qe është pastruar ka qënë viti 1989”, shkruan ai, megjithese ngjashmëria me modelin “Veliaj” në këtë rast është e zbehtë.

Si artist, Erion Isai në Kolonjë është përqëndruar fort edhe tek arti, por në të njëjtin postim ku njofton mbajtjen e një koncerti çdo mbrëmje në sheshet e qytetit, risjell një prej sloganeve të Erion Veliajt. Sa i takon anës estetike të përdorimit të “emojit”, Isai tregohet i vetëpërmbajtur.

“Të mirët! Artistët që do t’i japin frymë Kolonjës. Nga neser çdo mbrëmje 1 koncert në sheshet e qytetit. Plani i 100 diteve. 100 punët e para, për çdo vend e fshat në Kolonjë. 1 punë çdo ditë. Përkushtim me përulje. E meriton Kolonja!”, shkruan ai.

https://www.facebook.com/eisaifp/posts/2215629598564612

Këta janë një pjesë e kryebashkiakëve të rinj socialistë, që në ditët e para të tyre e kanë sinjalizuar modelin që do të ndjekin. Nëse modeli “Veliaj” është i suksesshëm apo jo, historia do ta përcaktojë më saktë, por në bazë të pjesëmarrjes dhe numrit të votave që siguroi më 30 qershor, kryebashkiaku i Tiranës rezultoi i tillë mes socialistëve.

Megjithatë, problematikat që ka Tirana nuk i ka Berati, Elbasani, Durrësi, apo Shijaku. Pastrimi e mjedisi është një problematikë, por s’mund të jetë “emergjencë” në çdo bashki. Prandaj, në rastin më të mirë kjo tregon marrjen “copy-paste” të një modeli, që kur vjen puna për elektorat ka rezultuar i suksseshëm dhe në rastin më të keq mungesë programi, origjinaliteti dhe vizioni të kryebashkiakëve të rinj socialistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë