11 trofe të fituar në 5 vite janë mbyllur si kapitull dje te Juventus. Alegri nuk do të jetë më trajner i “zonjës” dhe tashmë ka filluar gara për teknikun e ri që do të drejtojë torinezët. Janë disa emrat që po përfliten nga mediet në Itali. Nga Guardiola, Poketino, Konte, Inzagi apo edhe Deshamps, janë të gjithë emra që po përfliten se mund të marrin drejtimin e 8 herë kampionëve radhazi të Italisë.

Konte është një “ish”, i cili kur u largua krijoi një polemikë të madhe. Por duket se raportet me presidentin Anjeli tashmë janë përmirësuar dhe ish-trajneri i Çelsit është i gatshëm që të marrë drejtimin e ekipit, që ai e ringriti nga fundi në vitin 2012. Një tjetër emër i pranueshëm për xhepat e Juventusit është edhe Inzagit. Trajneri aktual i Lacios që ia doli të fitojë Kupën e Italisë me Atalantën shikohet si një emër potencial që mund ta vijojë me sukses punën e Alegrit te bardhezinjtë.
Një tjetër rikthim i bujshëm po përflitet të Juventus. Bëhet fjalë për trajnerin kampion bote me Francën, Dider Deshamps. Francezi që e ka drejtuar Juventusin në Serinë B mund të largohet nga kombëtarja nëse do i vinte një propozim interesant nga klubi, ku ai kaluar një pjesë të mirë të karrierës së tij edhe pse të lësh Francën në mesin e eliminatoreve të kampionatit europian nuk është një gjë e lehtë.

Dy emrat e tjerë që përfliten se mund të drejtojnë Juventusin e ri janë më shumë si “ëndrra vere”. Konsiderohen të tillë, pasi që t’ia marrësh Mançester Sitit apo Totenhamit trajnerin do duhet të kesh shumë guxim dhe para të gatshme për t’i investuar. Spanjolli edhe këtë herë dështojë në Champions dhe dëshira e madhe për t’u rikthyer si triumfues në këtë kompeticion bashkohet me atë që ka Juventus prej disa vitesh tashmë. Ndërsa për argjentinasin e Tothenham çdo verë ka fjalë se mund të largohet nga Londra, por deri më tani nuk ka lëvizur dhe do të jetë shumë e vështirë ta bëjë një gjë të tillë, sidomos tani, kur duket se sapo ka filluar projekti “Totenham”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




