Është Lacio triumfatori në Kupën e Italisë. Ekipi roman fitoi 0-2 Atalantën në ndeshjen e zhvilluar në “Olimpico”. Ishte një betejë edhe mes dy lojtarëve të ekipit tonë kombëtar, Tomas Strakosha i Lacios dhe Berat Gjimshiti i Atalantas. Me këtë fitore, Lacio ka shpëtuar sezonin që ishte në prag të dështimit dhe ka prerë një biletë për në Europa League të sezonit të ardhshëm. Ndërsa për Atalantën shuhet ëndrra për një trofe këtë sezon fantastik, por ka ende shpresa për të luajtur në Champions League vitin që vjen.
Ndeshja në “Olimpico” ishte një përballje shumë e fortë dhe e luftuar deri në minutat e fundit. Do të ishte pikërisht rendimenti fizik dhe një “yll” si Milinkovic Savic që kanë vendosur këtë finale të Kupës së Italisë për edicionin 2018-19. Serbi ishte më i miri në fushën e lojës dhe me golin e tij në minutën e 82’ i dha Lacios praktikisht këtë trofe. Atalanta edhe në këtë ndeshje bëri lojën e saj, por Zapata dhe Gomes me shokë nuk ishin në ditën e tyre më të mirë, mbase me mendjen në ndeshjen e fundjavës me Juventus që do të vendosë shumë për zonën Champions në Serinë A.
Ky ishte triumfi i shtatë në Kupën e Italisë për Lacio, që barazuan Interin në renditjen e skuadrave me më shumë fitore në këtë kompeticion. Lacio do të diskutojë në fillimin e sezonit 2019-20 Superkupën e Italisë me Juventusin, fituese e kampionatit. Ndërkohë, Atalanta do duhet të presë ende për ta fituar Kupën e Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




