Dy gjysmëfinale spektakolare dhe dy përmbysje të çmendura nga dy ekipe angleze. Pas Liverpulit edhe Totenham ka bërë mrekullinë, duke përmbysur humbjen e parë në shtëpi me Ajaksin dhe ka triumfuar në Amsterdam 2-3. Ndeshja e zhvilluar në “Johan Krojf Arena” nga minuta e parë deri në fund ishte e mbushur me nota të forta dramatike. Ajaksi ishte me një këmbë në finale kur e çoi rezultatin e ndeshjes në 2-0. Por Totenhami nuk u dorëzua dhe besoi deri në fund. Dhe pikërisht në aksionin final, në sekondën e fundin të ndeshjes erdhi goli i Lukas Moura, që me tripletën e tij të parë në Champions, çoi për herë të parë në histori në finale Totenhamin.
Përballja në mitikun “Johan Krojf Arena’ ishte më shumë se sa epike. Nisi menjëherë me një gol që në minutën e pestë, teksa kapiteni De Lajt shënoi me kokë pas një goditje këndi, duke çuar peshë gjithë stadiumin. Në pjesën e parë, ishte Totenhemi që po kërcënonte në disa momente holandezët, por sërish golin e dytë e gjeti ekipi i Ten Hag. Ai që dyfishoi shifrat ishte Zieh në minutën e 35-të falë një gjuajtje fantastike me të majtën.
45 minutat e para u mbyllën me fitoren e Ajaksit 2-0, por te pjesa e dytë do të ndodhte “tragjedia”. Anglezët u duk sikur e nisën me një marsh më shumë fraksionin e dytë të kësaj përballje dhe i mbyllin në mbrojtje vendasit holandez. Ekipi i Poketinos shënoi dy herë me brazilianin Lukas Mourën në minutat 55 dhe 59, duke zgjuar sërish shpresat për kualifikim.
Në 30 minutat e fundit ajo që e bëri diferencën ishte rendimenti i lartë fizik i Totenhemit që u imponua dhe dominoi ndeshjen, por Ajaksi u mbajt fort, deri në sekondën e fundit. Pikërisht në aksionin final të ndeshjes, Lukas Moura shënoi golin e tretë për miqtë dhe i dha mundësinë për të shkuar për herë të finalen e këtij kompeticioni. Finalja e madhe e Ligës së Kampionëve në stadiumin “Wanda Metropolitano” do të luhet më datë 1 qershor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



