Merkato e verës premton të jetë shumë e ethshme, ku milionat e eurove do të qarkullojmë “lum”. Real Madrid, Barcelona, Juventus, Mançester Junajtid, Inter, Bajerni i Mynihut, Siti dhe të tjera ekipe të mëdha të kontinentit europian nuk do të kursehen në blerjet e tyre për të krijuar ekipe konkurruese për sezonin e ardhshëm.
Por përveç lojtarëve që do të ndërrojnë ekip me klauzola disa milionëshe, në këtë vere do të jetë mundësia edhe për të bërë merkato “low cost”. Janë plot 20 futbollist të niveleve të larta që mund të ndërrojnë ekip, pa asnjë kosto, pasi janë në fundin e kontratës me ekipet aktuale.

Janik Brahimi, sulmues 29 vjeç aktualisht luan me Porton dhe pas korrikut të këtij viti mund të ndryshojë ekip lirshëm, pasi nuk do të jetë më nën një raport kontraktual me ekipin portugez. Geri Kahill, mbrojtës 34 vjeç këtë vit mbyll kontratën me Çelsin. Nëse nuk gjen ekip tjetër në Premier Ligë mund të largohet në kampionatin e SHBA-ve. Mateo Darmian, mbrojtës 30 vjeç ka sezonin e fundin me Mançester Junajtid. Italiani nuk mundi të shkëlqejë në Premier Ligë dhe këtë verë do të largohet, me shumë mundësi në Itali, aty ku e presin Interi, Milani, por edhe Roma.

David Luiz, mbrojtës 32 vjeç mbyll kontratën me Çelsin. Braziliani nuk është më i dikurshmi dhe tashmë në fundin e karrierës mund të transferohet pa pagesë, por me shumë mundësi do të ketë një kalim në ekipe të dorës së dytë. Felipe Luis, mbrojtës 34 vjeç mbyll kontratën me Atletiko Madrid. Braziliani ka disa ekipe që e ndjekin dhe këtë verë mund të zgjedhë pa presion. Oliver Zhiru, 33 vjeç në fund të kontarës me Çelsin. Francezi ka bërë mirë këtë sezon dhe më shumë mundësi mund të rikthehet në Francë, aty ku e presin disa ekipe të dorës së dytë.

Ander Herrera, 30 vjeç në fundin e kontratës me Mançester Junajtid. Spanjolli ndiqet nga disa ekipe dhe mund të lëvizë pa asnjë kosto këtë verë. Hektor Herrera, 31 vjeç përfundon këtë sezon kontratën me Porton. Vinsent Kompani, 33 vjeç në fundin e kontratës me Mançester Sitin. Huan Mata 31 vjeç, gjithashtu mbyll kontratën me Junajtid këtë verë. Edhe Xhejms Milner, mesfushori 33-vjeçar i Liverpulit është pa kontratë në korrikun e ardhshëm. Nga Liverpuli pa pagesë këtë verë mund të largohet edhe Daniel Starixh, sulmues 30 vjeç.

Antonio Valencia pas më shumë se 13 vite te Mançester Junajtid këtë sezon mbyll kontarën dhe do të jetë i lirë ta zgjedhë një ekip të ri për të mbyllur karrierën. Pa kontratë në fundin e këtij sezoni është edhe sulmuesi i Arsenalit, Dani Uellbek, 30 vjeç. Në fundin e këtij sezoni pa një kontratë do të jetë edhe holandezi Arjen Roben. 37-vjeçari mund të gjejë një ekip të ri këtë verë, nëse nuk vendos që ta mbyllë karrierën.

Nga PSG janë dy lojtarë pa kontratë për sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për mesfushorin Adel Rabiot dhe portierin Xhixhi Bufon. Të dy me shumë mundësi nuk do të jenë më në Paris për vitin që vjen. Nëse Bufon mund ta mbyllë karrierën, Rabiot do të jetë i lirë për ta gjetur ekipin e ri, duke shpëtuar kështu nga bllokimi që i bëri PSG këtë sezon.
Pa kontratë në fundin e këtij sezoni, si zakonisht është edhe Mario Baloteli. 29-vjeçari do të largohet nga Marseja dhe mbetet për t’u parë se cili do të jetë ekipi i radhës në karrierën e italianit. Pa kontartë pas këtij sezoni është edhe një talent i humbur i Francës, si Hatem Ben Arfa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




