Futboll

Gjimshiti mposht Strakoshën, legjionarët shkëlqejnë në kampionatet e tyre

Ka qenë shumë pozitive kjo fundjavë për futbollistët shqiptarë në kampionatet e huaja. Kjo fundjavë ka parë pjesën më të madhe të legjionarëve titullarë dhe disa prej tyre kanë gjetur rrugën e rrjetës. Ai që ka spikatur më shumë pa diskutim që ka qenë Berat Gjimshiti, i cili tashmë është një titullar stabël në formacionin e Atalantës dhe ndeshje pas ndeshje konfirmohet si një nga pikat më të forta të këtij ekipi.

Gjimshiti është vlerësuar me notën 6.5, duke qenë një nga më të mirët në fushën e lojës për bergamaskët në fitoren me Lacion, që i ka afruar akoma dhe më shumë me Ligën e Kampionëve. “Arrin t’i përballojë kundërshtarët si me shpejtësi ashtu edhe me forcë dhe duket si një dragua i vërtetë. I vetmi gabim ishte momenti kur u kalua nga Uallas, nga ku erdhi edhe goli i vetëm i Lacios.”- shkruajnë mediet italiane në vlerësimin që japin për mbrojtësin shqiptar. Krejt ndryshe duket situata për portierin shqiptar te Atalanta, Etrit Berisha. Gardiani kuqezi është stacionuar në stol, duke u lënë pas nga Golini, që në ndeshjet e fundit ka bërë paraqitje shume pozitive.

Në këtë ndeshje luajti edhe portieri titullar i Shqipërisë, Tomas Strakosha, i cili edhe pse nuk bëri gabime, nuk ia doli që të shmangë humbjen për Lacion. Fundjavë e mirë ka qenë edhe për Frederik Veselin. Qendërmbrojtësi kuqezi ka luajtur titullar me Empolin në fitoren e rëndësishme 1-0 me Fiorentinën, që mban gjallë shpresat e këtij ekipi për të mbijetuar në Serinë A.

Pozitive mund të konsiderohet kjo javë edhe për mbrojtësin tjetër shqiptar që luan me Napolin, Elseid Hysaj. Shkodrani nuk ishte në formën e tij më të mirë, por fakti që luajti nga minuta e parë, flet për besimin që Ançeloti po tenton t’i jap atij. Por kjo javë në Serinë A pati edhe një specifikë të veçantë, pasi Anxhelo Ndrecka ka bërë debutimin me skuadrën e Kievos në elitën italiane të futbollit. Vetëm 17 vjeç, Ndrecka bëhet kështu shqiptari më i ri që debuton në Serinë A. Ai luan në repartin e mbrojtjes dhe nga specialistët italian të futbollit, cilësohet si një talent me perspektivë të lartë.

Për Kristin Qosen që luan në kampionatin sllovak të futbollit kjo javë e ka sjellë atë në rolin e golashënuesit. Mesfushori korçar ka shënuar një super gol përballë ekipit më të madh të Sllovakisë, Slovan Bratislava në ndeshjen e vlefshme për raundin e 7 të kampionatit sllovak. Ndërkohë legjionarët shqiptarë në Zvicër, Taulant Xhaka dhe Armando Sadiku edhe këtë javë nuk kanë shkëlqyer. Xhaka ka luajtur titullar, por pa qenë në formën e tij më të mirë, ndërsa Sadiku ka qëndruar në stol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë