Kristiano Ronaldo mund të mos ta fitojë këtë vit “Topin e Artë”, por portugezi vijon të bëjë detyrën e tij ndeshje pas ndeshje. Në një sfidë, ku ekipi i tij nuk shkëlqen dhe luan pa motiv, Ronaldo shënon sërish dhe shkon në kuotën e 601 golave në ndeshjet zyrtare me klube. Në përballjen derbi të qytetit të Torinos, ku “demat” ishin shumë të motivuar dhe luanin sezonin e tyre, sërish ishte sulmuesi portugez njeriu plëngprishës, pasi shënoi golin që barazoi ndeshjen 1-1, vetëm 6 minuta nga fundi.
Torino luante me Juventusin ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit drejt ëndrrës së madhe për të kapur një nga katër vendet e para që të çojnë në Ligën e Kampionëve. Skuadra e Maxarrit e nisi shumë mirë me golin e Lukiç në minutën e 15’, që krijoi iluzionin e tre pikëve për Torinon. U duk ndeshja e duhur për Torinon për të fituar me Juventusin. Ëndrra Champions, përkujtimi i shembjes së avionit të “Torinos së Madhe” si dhe 20 vitet pa fitore në Serinë A me bardhezinjtë, përbënin motive të mjaftueshme për “demat” për të fituar këtë përballje, por nuk e kishin llogaritur mirë egon e ‘CR7’. Kur ndeshja iu drejtua 10 minutave të fundit dhe ishte Torino ajo që mbante lojën lartë në zonën bardhezi, Ronaldo përfitoi nga një pakujdesi ne mbrojtje dhe çoi topin në rrjetë për t’ia mohuar edhe këtë herë shijen e fitores “demave”.
Për ekipin e dytë torinez ky barazim mund të rezultojë fatal në luftën për një vend në Champions, pasi Atalanta, Milan dhe Roma mund të shkëputen nëse do të arrijnë të fitojnë ndeshjet e tyre të dielën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




