Futboll

Arsenali likuidon Valencian, Çelsi ndalet nga Frankfurti

Me surpriza janë mbyllur edhe ndeshjet e para të gjysmëfinaleve të Europa League. Arsenali ka fituar bindshëm në shifrat 3-1 me spanjollët e Valencias, duke hedhur një hap të sigurt drejt finales së këtij kompeticioni. Ndërsa ekipi tjetër anglez i Çelsit është ndalur në transfertën gjermane të Frankfurtit.

Sfida e zhvilluar në “Emirates Stadium” për rezultatin që prodhoi mund t’i ngjajë një ndeshjeje të lehtë, por në fakt nuk ishte e tillë. Arsenali do duhej të djersinte për të mposhtur me shifrat 3-1 Valencian, e cila provoi të bënte rezistencë, por shumë shpejt i kuptoi limitet e saj. Për Topçinjtë shënuan Lakazet dy herë dhe Aubumejang, të cilët përmbysën golin e Diakbi, i cili kishte kaluar i pari në avantazh Valencian që në minutën e 11’. Me këtë fitore Arsenali ka shanset më të larta për të shkuar në finale, por duhet të ketë kujdes, pasi një fitore e pastër 2-0 e Valencias në shtëpi do i eliminonte djemtë e Emeri.

Çelsi nuk e pati shumë të lehtë përballjen me talentet e Eintrahtit të Frankfurtit. “Blutë e Londrës” u ndalën në një barazim, që gjithsesi nuk është rezultat i keq, pasi në sfidën e dytë luajnë në shtëpi përballë publikut të tyre. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë, Joviç për vendasit dhe Pedro për miqtë. Në 45 minutat e dyta pati shumë raste për gol nga të dyja krahët, por pa mundur dot të jenë konkretë. Ky barazim është një avantazh i lehtë për londinezët, por gjithsesi Frankfurti ka treguar se është ekip i surprizave dhe një gjë të tillë do e provojë edhe këtë herë në “Stamford Bridge”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë