Komisioni i Disiplinës nuk i ka kursyer masat e ashpra në vendimmarrjen e kësaj të enjte. Për ndeshjet e javës së fundit, ku nuk munguan incidentet, Komisioni i Disiplinës ka qenë shumë i ashpër sidomos me kryesuesit e Partizanit. Ata që e kanë pësuar më keq, janë trajneri Skënder Gega dhe mesfushori Telushi. Gega dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktivitetet, për protesta ndaj zyrtarit të ndeshjes. Më i fortë ka qenë dënimi për liderin e mesfushës së Partizanit, Bruno Telushi. Futbollisti vlonjat i të kuqve, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes është dënuar me 4 ndeshje pezullim nga aktivitetet.
Ky dënim do të thotë se Telushi e humbet mundësinë për të luajtur në derbin e fundit të kryeqytetit për këtë sezon, pasi edhe nëse paguan gjysmën e dënimit, sërish nuk mund të zbresë në fushë javën tjetër. Kjo është një goditje e rëndë për Partizanin në një pikë kyçe të sezonit, ku do të luaj dy ndeshje shumë delikate që përcaktojnë fatin e titullit kampion, para se të presë në “Selman Stërmasi” Kukësin.
Dënime të lehta vetëm me gjobë në masën e njëqindmijë lekëve janë dënuar Tirana dhe Skënderbeu për sjellje të gabuar të tifozëve. Të ashpra kanë qenë dënimet edhe për klubet në kategoritë inferiore të futbollit shqiptar. Shkumbini, Vora, Burreli dhe Erzeni janë ekipet që janë dënuar më shumë nga kjo vendimmarrje e KDS për javën e 31-të të Superligës Shqiptare.
Sakaq Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, njofton çeljen e hetimit disiplinor për incidentin midis lojtarit të Flamurtarit, Idriz Batha dhe lojtarit të Skënderbeu, Marko Radas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




