Spostimi në vendin e 7 në kampionat dhe rreziku shumë i madh për të mbetur jashtë Ligës së Kampionëve e bën thuajse të sigurt largimin e Xhenaro Gatuzos në fund e këtij sezoni. Klubi kuqezi pas një takimi mes drejtuesve pak ditë më parë vendosi që sezonin ta mbyllë me Gatuzon në stol, por për sezonin e ri do të mendohet të niset çdo gjë e nga e para.
Sipas të përditshmes italiane, “Gazzetta dello sport”, katër ndeshjet në vazhdim mund të ndryshojnë fatin e Milanit, por jo të Gatuzos. Në këtë pikë Leonardo, Gazidis dhe Maldini kanë nisur nga puna për të gjetur emrin e trajnerit të ri. Emrat që shikon në “pole position” për momentin janë tre emra të suksesshëm në kampionatin italian.

Mauricio Sarri shikohet si më i preferuari për shkak të CV-së së pasur ndër vite, por edhe suksesit që arriti me Napolin, duke e çuar disa herë pranë fitimit të titullit. Italiani mund të largohet nga Çelsi këtë verë dhe t’i hap kështu rrugën rikthimit në Serinë A te kuqezinjtë. Në garë për të marrë drejtimin e Milanit sipas ‘GdS” është edhe Xhanpiero Gasperini. Tekniku i Atalantës këtë sezon ka bërë një punë fantastike. Finalja e Kupës dhe vendi i katërt në kampionat për momentin pa diskutim që kanë ardhur për shkak të dorës së Gasperinit. Një tjetër emër që pëlëhet nga klubi milanez, që është lakuar edhe më herët për të marrë drejtimin e ekipit, është edhe ai i Eusebio Di Françeskos. I larguar nga Roma pak muaj më parë, 50-vjeçari shikohet si një trajnerë që mund të përshtatet lehtë me stilin e Milanit, për shkak të skemave që preferon.
Sakaq më të distancuar për momentin mbeten emrat e Jardim dhe Xhanpaolos, teksa Antonio Konte mbetet thjesht një ëndërr në sirtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




