Ne rrjet

Kriza në Shqipëri, Këshilli i Ambasadorëve apel Merkelit dhe Macronit

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kërkon ndërhyrjen e Kancelares Merkel dhe Presidentit të Francës, Macron, në prag të samitit që do të organizohet në Berlin, që te përcjellin tek udhëheqësit politikë të Shqipërisë mesazhe të qarta, në mbështetje te ëndrrës europiane të shqiptarëve.
Në këtë letër, në prag të Samitit të Berlinit, bëhet prezent edhe fakti se Shqipëria po përjeton një krizë politike, ndërsa i kërkohet Angela Merkelit dhe Emanuel Macronit që të bëjnë thirrje për dialog mes palëve.

“Shqipëria po kalon një tranzicion të stërzgjatur dhe shoqëria shqiptare vazhdon të përballet me një sistem endemik korrupsioni. Krimi i organizuar, sidomos ai që vepron në fushën e trafikimit të drogës, vazhdon të ketë lidhje me politikën. Prej më shumë se një viti vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është praktikisht jashtë funksioni, duke e futur krejt drejtësinë në kolaps. Prej dy muajsh opozita parlamentare ka braktisur përfundimisht parlamentin, duke dalë në rrugë e kërkuar një qeveri tranzicioni, e vetmja mënyrë, sipas saj, që do të siguronte zgjedhje të lira e të ndershme, të pacenuara nga lidhjet e krimit me politikën. Vendi po kalon një krizë përfaqësimi dhe riciklim të krizës politike pa precedent qysh nga rënia e diktaturës. Kjo krizë ka lëkundur shpresën e shoqërisë shqiptare dhe sipas statistikave gjatë pesë viteve të fundit janë larguar nga vendi në rrugë legale dhe ilegale afro një e pesta e shqiptarëve”, thuhet në këtë letër.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se forcat politike shqiptare, edhe falë mbështetjes së Merkel dhe Macron, do të gjejnë sa më shpejt gjuhën e përbashkët të dialogut për kapërcimin e krizës duke qene të bindur se ëndrra europiane nuk realizohet duke u larguar nga Shqipëria, por duke ndërtuar në Shqipëri vlerat europiane.
“Ne gjithashtu shpresojmë që ju shkëlqesi, si miq të pazëvendësueshëm të shqiptarëve të përdorni rastin e këtij samiti për të dhënë mesazhe të qarta dhe inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar rrugën e dialogut. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i uron suksese këtij samiti dhe u shpreh mirënjohje të përzemërt nismëtarëve dhe organizatorëve të tij” thuhet më tej në këtë letër.
Sa u përket marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, Këshilli i Ambasadorëve me anë të kësaj letre shpreson se ndryshimi i kufijve do të dalë nga rendi i ditës.
“Ne shpresojmë se vizioni dhe autoriteti juaj i lartë, Shkëlqesi, do të nxjerrë njëherë e mirë nga rendi i ditës i negociatave midis këtyre dy vendeve çdo plan për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh. Përcaktimin e kufijve midis këtyre shteteve sipas vijës së ndarjes etnike do të shënonte një kthim prapa dhe do të ishte i mbushur me rreziqe jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për vendet e mbarë rajonit. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen e thellë se pajtimi i vërtetë serbo-shqiptar mund të arrihet vetëm sipas përvojës dhe modelit franko-gjerman, që ju mishëroni”, thuhet më në këtë letër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë